Politike

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit do të na kushtojnë 820 mln lekë

Bledar Hoti - Rreth 820 milionë lekë do të kushtojnë zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ky është buxheti i parashikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që u shqyrtua sot mes 5 anëtarëve të këtij institucioni. Kostoja është që për një zgjedhës të shpenzohet 23 lekë për çdo zgjedhës Sipas buxhetit të parashikuar KQZ, do të shpenzohet një fond i konsiderueshëm për trajnuesit e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe të Grupit të Numërimit të Votave. Pagesa për këtë grup trajnuesish ishte propozuar për 1 mijë lekë ora dhe kjo ishte dhe “molla e sherrit” ndërmjet anëtarëve të KQZ-së. Vlera e totalit të shpenzimeve llogaritej 17.860.000. Pagesa e mbi 400 trajnuesve ka nxitur debatin mes anëtarëve të KQZ-së, të cilët e cilësuan si tejet të lartë. Kryekomisioneri Klement Zguri kërkoi që të vihej në dispozicion nga ana e administratës se ku ishte bazuar përcaktimi i kësaj pagese. Në materialin e disponuar nga Gazeta “Si”, rezulton se edhe vetë zyrtarët e administratës, siç është edhe drejtoresha e Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore, Trajtimit dhe Edukimit Zgjedhor, kanë kontestuar mënyrën e si do të paguhen këta trajnues.
Për pagesën e këtyre trajnuesve rezultoi se nuk ishte marrë për bazë VKM-ja përkatëse, por mënyra e pagesës së ASPA, shkollës së Administratës Publike. Anëtarja e KQZ-së, Edlira Jorgaqi propozoi që pagesa e trajnuesve të jetë në masën e 750 lekëve për orë. Por propozimi i hedhur për votim nuk mori konsensusin e duhur, pasi tre anëtarë ishin pro dhe dy kundër. Mosmarrja e katër votave futi në sherr kryekomisionerin Klement Zguri dhe nënkryetarin Denar Biba. Numri dy i KQZ-së kërkoi që të hidhte në votim edhe pikën ku parashikonte pagesën prej 1 mijë lekësh të reja. “Duhet të votohet, pasi propozohet një pagesë dyfishe. Kalime të tilla duhen analizuar”, theksoi numri dy i KQZ-së.

Mbledhja e KQZ


Por një propozim i tillë u kontestua nga Zguri. “Nuk ka kuptim që të hidhet në votim një propozim i tillë, pasi ai votohet i gjithi së bashku me projekt-buxhetin e zgjedhjeve. Kjo që ju thoni do e fuste në krizë vendimmarrjen”, iu drejtua Zguri. Edhe anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi e cilësoi të pakuptimtë votimin, pasi nëse u rrëzua propozimi i parë i koleges Jorgaqi, i bie që në fuqi të ishte propozimi i draftit të parë.
Por nënkryetari Biba u shpreh se nuk mund të ketë një votim në bllok, pasi rrezikonte që buxheti të mos miratohej me 5 votat e kërkuara. Kryekomisioneri ndërkohë shprehu rezerva për qëndrimin e mbajtur nga Biba, pasi për këtë çështje i kishte kërkuar të bisedonin paraprakisht dhe që të arrinin në një konsensus, por që ai i kishte deklaruar se nuk kishte rezerva për projektin.
Pas këtyre përplasjeve, do të ishte anëtari Skënderi që do të propozonte një pushim prej 15 minutash me qëllimin për të arritur një konsensus. Pushimi i shkurtër duket se uli gjakrat mes anëtarëve, duke prodhuar një kompromis, i cila u propozua nga Biba. Kështu trajnuesit e KZAZ-ve do të shpërblehen sipas shkallëve, nga 750 deri në 450 lekë. Propozimi që hodhi poshtë shifrën e 1 mijë lekë për orë bëri që buxheti të marrë 5 vota pro.
Në këto zgjedhje parashikohen dy fletë votimi, një për kandidat për kryetar bashkie dhe tjetra për Këshillin Bashkiak. Për secilën fletë KQZ parashikon prodhimin e mbi 3,6 milionë fletëve të votimit, në total 7,235, 482 fletë votimi në një kosto rreth 90 milionë lekë. Për udhëtime dhe dieta në total KQZ-ja ka parashikuar të shpenzojë 11,5 milionë lekë. Ndërsa për karburant është llogaritur që të shpenzohet 2.85 milionë lekë, pasi është parashikuar që të blejë 15 mijë litra karburant.

Fondet e partive, shifrat që përfitojnë
KQZ vendosi gjithashtu që të shpërndajë fondin 190 milionë lekë, partive politike për vitin 2019. Partia Socialiste e Shqipërisë sipas llogaritjeve do të përfitojë 86.065.992 lekë, ndësa Partia Demokratike e Shqipërisë do të përfitojë 52.808.975 lekë. Lëvizja Socialiste për Integrim si forca e tretë politike në vend do të përfitojë 27.160.224 lekë, ndërsa PDIU 10.107.290 lekë. PSD me një deputet në Parlament me Tom Doshin do të përfitojë shumën e 7.286.685 lekëve. Edhe pse nuk kanë përfaqësues në Parlament, përfitues do të jetë edhe Libra e themeluar nga Ben Blushi që kandidoi në zgjedhjet e fundit parlamentare me Listën e Barabartë. Fondi që do të përfitojë ky subjekt është 6.570.833 lekëve. Sipas nenit 19 të ligjit “Për Partitë Politike” fondi për ndihmë nga shteti jepet mbi bazën e kësaj skeme: 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor; 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare
Ndërsa 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.
Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.

Buxheti në total për zgjedhjet lokale 819.881937 lekë

Pagat personelit të përkohshëm në KQZ. Shpërblimi i
anëtarëve i anëtarëve të KZAZ, KQV-ve, GNV, ZR,
trajnuesve të KZAZ, KQV, GNV 296,032,371 lekë

Mallra 248,881, 320 lekë
Shërbime 274, 968, 336 lekë
Shërbime transporti 221,700,000 lekë

Shërbime udhëtime e dieta 11,568,000 lekë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë