Lajme

Zgjedhjet lokale, Ndreu: Do kandidoj për Bashkinë e Lezhës

Deputeti i mazhorancës, Pjerin Ndreu do të jetë kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Edhe pse një lajm i tillë përflitej prej pak kohësh, ka qenë vetë Ndreu ai që e ka konfirmuar kandidimin në qytetin e tij të lindjes.

“Besoj se po, unë do jem kandidati për Lezhën. Akoma nuk është përfundimtare, por me strukturat e PS në Lezhë jemi dakordësuar dhe ka pëlqime dhe në qendër që të jem unë kandidati për zgjedhjet e 30 qershorit, - pohoi Ndreu, i ftuar në studion e ABC News. - Për shumë arsye. PS ka 3 mandate që nuk e drejton Bashkinë e Lezhës. Jo për fajin e saj, por për një farë kombinacioni që kemi pasur me LSI. Ne e kemi fituar në 2007-në me PD-në, pastaj ata gjetën strehë te PD dhe ikën atje. Pastaj u kthyen prapë te ne. Ne si PS kemi tre mandate që nuk e drejtojmë, çka ka rezultuar fatale për jetën shoqërore të Lezhës”.

Ndreu shtoi se mungesa e një roli menaxherial në Bashkinë e Lezhës, e ka kthyer atë në një institucion rrëmujë, me një menaxhim katastrofë.

Deputeti socialist nuk është i shqetësuar se cilin rival do ketë përballë, duke parë që opozita ka vendosur deri tani të bojkotojë procesin.

“Unë mendoj se do ketë kundërshtar edhe nga PD. Unë jam përgatitur dhe vazhdoj të përgatitem për kundërshtar dhe për të fituar me kundërshtar. Nëse ata vendosin vetë ose me urdhër partiak të dalin nga loja kjo nuk është çështja ime”

Ndreu saktësoi se kandidatura e tij nuk do të zyrtarizohet këtë të shtunë në Kongresin e PS. “Të shtunën nuk zyrtarizohet, por zyrtare bëhet një muaj para”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë