Bledar Hoti- “Ne këtu jemi më të fortë numerikisht, pavarësisht se maxhoranca ka kartonat e saj në Parlament”. Kjo ishte deklarata e lëshuar nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi më 16 shtator në tryezën e opozitës, i cili zyrtarizoi kalimin e partisë së tij në kampin e djathtë politik.
Idrizi në daljet e tij publike pati deklaruar se PDIU ka 76 mijë vota çame e kjo do të ndikonte jo pak në garën për betejat e ardhshme elektorale, duke i cilësuar këto shifra si të pandryshueshme në çdo betejë elektorale.
“Pesha e PDIU dhe 76 mijë votat e saj janë akoma prezente dhe jo nga këto njerëz të rastësishëm. Por propaganda e komitetit qendror të partisë donte të tregonte se nuk ka ndodhur asgjë se deputetët janë, kurse tek opozita ka ik Shpëtim Idrizi. Nuk kemi ik, kemi qenë në opozitë. Kjo mazhorancë nuk do aleancë me kërkënd. Ne sot u rreshtuam nga opozita në opozitë zyrtare jo vetëm për çështjen çame, por edhe për shkak se sot me një mazhorancë arrogante ky vend ka nevojë për një opozitë të fortë”, do të deklaronte Idrizi.
Kalimi së fundmi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, por edhe i Lëvizjes Socialistes për Integrim pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 natyrisht ka sjellë një ndryshim të raporteve të votave e që do të sjellë një betejë të fortë në zgjedhjet e ardhshme lokale, që priten të mbahen vitin e ardhshëm, në maj të 2019.
Kjo për faktin se pjesa më e madhe bashkive drejtohet nga socialistët dhe se një pjesë e mirë e të zgjedhurve si kryebashkiakë janë me disa mandate, e mbi të gjithë shihen si të konsumuar.
Por si janë rezultat e votave midis dy blloqeve politike pas këtij konfiguracioni të ri politik, ku PD ka në koalicion LSI, PDIU, parti me peshë politike, e ndërsa PS-ja është më tepër vetëm, pasi aleatët e saj nuk kanë ndonjë forcë elektorale?
Gazeta SI, por paraqet shifrat e votave në bazën e të dhënave të marra nga ana e KQZ-së, ku janë publikuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2015 për zgjedhjet e shkuara vendore dhe të vitit 2017 për zgjedhjet parlamentare.
Votat e 2015
Mbi bazën e kalkulimit të votave për rezultatet e votave të zgjedhjeve vendore 2015, të cilat janë deri diku të vlefshme për të bërë llogaritë për betejat elektorale, rezulton se kampi opozitar arrin ta përmbysë raportin e votave me koalicionin e majtë të drejtuar nga ana e Partisë Socialiste. Këto shifra në raport me votat që kanë marrë partitë politike për këshillat bashkiakë.
Në zgjedhjet vendore të 2015, koalicioni i majtë i drejtuar nga PS, në atë kohë bënte pjesë edhe LSI dhe PDIU, tashmë në opozitë, mori 991 mijë vota. Vetë LSI rezultoi me 259 mijë vota, ndërsa PDIU 59 mijë vota. Me këto shifra, nëse ia heqim votat koalicionit të majtë, PS-ja zbret në 637 mijë vota.
Në kahun tjetër politik, koalicioni që drejtohej nga PD në zgjedhje e fundit vendore mori 507 mijë vota. Po t’i shkosh kësaj shifra votave e dy partive të përfshira në aleancën e sotme, të PDIU me 59 mijë vota dhe të 259 mijë votave të LSI-së, blloku opozitar shkon në 825 mijë votave. Diferenca e votave me këtë realitet të ri politik, koalicioni i djathtë në avantazh me 152 mijë vota.
Ky të paktën është projeksioni i rezultatit me votat zyrtare të zgjedhjeve të vitit 2015. Nëse do të merrnin të njëjtin numër votash, koalicioni opozitar me PD, LSI dhe PDIU do të merrte shumicën e votave dhe për rrjedhojë edhe të anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe të kryetarëve të bashkive.
Votat e zgjedhjeve të 2017
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhuruan për herë të parë, pas disa betejash elektorale, daljen e partive politike si subjekte zgjedhore më vete. Nuk kishte koalicione, e ndaj ishte një betejë e ashpër elektorale, ku në skenën e alternativave u futën termat popullore, si “tepsia” e “timoni i vetëm”, duke bërë qe elektorati të mos fokusohet te programet elektorale. E këto zgjedhje u duk sikur zhvilloheshin mes PS dhe LSI, dikur në një koalicion qeverisës, se sa mes dy forcave kryesore politike PD-së dhe PS-së.
Mbi bazën e shifrave zyrtare rezulton se pavarësisht se PDIU dhe LSI janë në kampin opozitar, PS-ja e vetme është para me vota. Pra nëse shifrat do të përsëriteshin edhe në zgjedhjet lokale, socialistët do të dominonin në 66 bashkitë, edhe pse me një diferencë të vogël të votave.
PS ka marrë në zgjedhje 764.750 vota. PD-ja rezultoi me 456.413 vota, ndërsa dy partitë tashmë në koalicionin e majtë rezultuan LSI me 225.901 vota dhe PDIU me 76.069 vota. Në total kemi 758.383 vota. Diferenca me votave të maxhorancës dhe opozitës është 6376. Por këtu nuk janë llogaritur votat e disa partive të majta, aleate të natyrshme të PS-së, PSD dhe PDS që kanë marrë së bashku rreth 22 mijë vota në zgjedhjet e shkuara.
Këto janë balancat e votave mes maxhorancës dhe opozitës. Partitë po ndezin motorët për betejën e ardhshme elektorale, natyrisht votat e paraqitura ndryshojnë edhe për shkak të natyrës së votimit, pasi ndryshe janë zgjedhjet për kreun e bashkisë nga ato të përgjithshme, sa i përket peshës elektorale. Ndërsa duhet marrë në konsideratë edhe fakti i konsumimit të pushtetit në rang lokal e qendror, duke llogaritur edhe faktin nëse do të rikandidojë sërish kryebashkiakë aktualë ose jo, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnjë, të cilët kanë një apo më shumë mandate.
Në këtë betejë, e cila është e dyta radhazi, Partia Socialiste pritet të jetë e vetme në zgjedhje përballë PD-së, LSI-së dhe PDIU-së.
Koalicioni opozitar me votat zgjedhjeve lokale 2015
PD 507 mijë vota
LSI 259 mijë vota
PDIU 59 mijë vota
Në total 825 mijë vota
Koalicioni i mazhorancës
PS 673 mijë vota
Votat e zgjedhjeve parlamentare të 2017
Koalicioni i PD
PD 456.413 vota
LSI 225.901 vota
PDIU 76.069 vota
Totali 758.383 vota
Partia Socialiste
Vota 764.750 vota
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.