Politike

Zgjedhjet e 25 Prillit, Topalli dhe Patozi me listë të përbashkët

Dy ish nënkryetarët e PD-së, aktualisht me dy parti të reja, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli do të dalin me listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ne nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për të garuar në zgjedhje. Pra, e vetmja formë që na lejon Kodi Elektoral është një listë e përbashkët dhe unë mendoj që janë të gjitha mundësitë që brenda një liste të përbashkët, ne të prezantohemi më shumë si frymë sesa si force elektorale”, tha Astrit Patozi në një intervistë për RTSH.

Në kampin opozitar gjithnjë e më shumë po ravijizohet ideja e krijimit të një koalicioni, i cilësuar si Poli i Tretë në vend, një ide e provuar edhe më parë, por e dështuar në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Kodi i ri Elektoral ta imponon që nëse del si koalicion, duhet të garosh me listë të përbashkët

Kësaj here janë vetë nënkryetarët e PD-së ndër vite, që në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit futen me këtë skemë të re, jashtë partisë ku kanë milituar.

Astrit Patozi i Bindjes Demokratike po e thekson këtë fakt në çdo dalje publike, ndërsa e ka lënë të hapur edhe Jozefina Topalli.

“Ne jemi detyruar që t’i japim shqiptarëve një alternativë të tretë, që të jetë e ndryshme nga dy alternativat e stërlodhura. Partia Socialiste në pushtet, apo Rilindja e Edi Ramës nga njëra anë dhe nga ana tjetër opozita e korruptuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Ne e kemi politike këtë gjë por e kemi dhe aritmetikë sepse është e vetmja mënyrë për të kapërcyer kodin elektoral, i cili është një çark, që penalizon partitë e reja. Ndaj ne duke bashkuar forcat elektoralisht bëhemi më shumë dhe numërohemi më shumë me 25 prill”, është shprehur Patozi.

Qëllimi, sipas Patozit, është i madh, goditjen e sistemit. Beteja sipas tij duhet të fillojë që nga ndryshimet kushtetuese te vitit 2008, edhe pse vetë Patozi  apo Topalli ishin pjesë drejtuese e asaj force politike që i kaloi bashkë me PS-në.  

 “Unë e nxjerr veten jashtë emrave të përveçëm, Shqipëria nuk e ka problemin me personat e ka problemin me sistemin e kalbur që tashmë po kualifikohet. Personat mund t’i ndërrojmë por nuk ndryshojmë asgjë, por po goditëm sistemin personat edhe po të qëndrojnë nuk do të jenë më kaq të dëmshëm. Synimi jonë është që të jemi forcë përcaktuese qeverisëse, mbështetja jonë do të jetë në funksion të një lëvizje transformuese dhe reformatore në Shqipëri, duhet të rrëzojmë kryetarokracinë.

"Duhet ta fillojmë me ndryshimet Kushtetuese të 2008 të cilat duhet të zhbëhen, aty duhet të fillojë rithemelimi i Republikës në Shqipëri. Unë do të doja që të mos kishte parti dhe lëvizje, por të kishte dhe personalitete të jashtme që të vijnë dhe të mos jenë detyrimisht anëtarë partie..."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë