Politike

Zgjedhjet, Basha paralajmëron kandidatët e PS: Ju pret burgu!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se më 30 qershor opozita nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve.

Gjatë një takimi në Vorë, kreu i PD tha se 4 kandidatë të listës së Ramës janë të pandehur të dosjes për shitblerjen e votës, të cilët sipas tij i pret burgu.

“Sot jemi më afër se kurrë fitores së betejës tonë për një Shqipëri demokratike. Edi Rama nuk ka asnjë shans t’i detyrojë shqiptarët të pranojnë një tjetër krim elektoral.  5 kandidatë të listës së Ramës janë të pandehur të dosjes për shitblerjen e votës. Valbona Sako e dyshuar dhe duhet të ishte e pandehur për vjedhjen e votave me Ymer Lalën në Dibër. Njësoj si Agron Malajn, si Dionis Imeraj, si Pjerin Ndreu. 4 kandidatë që në fakt duhet të ishin të pandehur dhe po të kishim drejtësi funksionale duhet të ishin dënuar për shitblerjen e votës me krimin, në zgjedhjet e Dibrës”, - deklaroi  Basha.

Basha citoi tre kushte të panegociushme në betejën e tij politike. Largimi i Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme, që janë tre pika prej të cilave kryedemokrati nuk heq dorë, duke refuzuar kështu thirrjen e qeverisë për dialog.

“Ka vetëm një rrugë, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme. Nuk pranojmë pushtet në tavolinë. Kjo betejë nuk bëhet për pushtetin tonë. Më 25 maj të gjithë bashkë për një betejë vendimtare për jetë a vdekje”, deklaroi lideri i PD sot nga Vora, ndërsa bëri thirrje për protestën e së shtunës.

Basha shtoi se të vetmet zgjedhje në Shqipëri do të jenë ato të garantuara nga qeveria tranzitore, dhe jo nga krimi me pushtet.

“Rama tani bëhet gati që për hir të paktit të tij me krimin të asgjësojë demokracinë. Me një mesazh po i them se nuk do lejojmë më zgjedhje me krimin dhe me hajdutët, do ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Ramën kryeministër. Zgjedhjet do bëhen përmes qeverisë tranzitore dhe të zgjedhurit e shqiptarëve nuk do jenë më palë me krimin e bandat. Kjo është beteja jonë dhe në këtë betejë shqiptarët na janë bashkuar si kurrë më parë”, u tha Basha qytetarëve të Vorës.

Basha u shpreh se këto ditë janë vendimtare për fatet e vendit në vitet e ardhshme, ndaj kërkoi bashkimin e të gjithëve.

“Koha nuk pret, në ditët e ardhshme do vendoset fati i Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshme, do kemi një Shqipëri të krimit, ku ligji dhe Kushtetuta nuk ka velrë, ku të pamundurit jo vetem nuk mbrohen por ndëshkohen, dhe kur kriminelët grumbullojnë pushtetin, kjo është beteja që duhet të zgjidhim e do zgjidhim së bashku”, u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë