Politike

Zgjedhja e Bashës si kryetar grupi i PD, ironizojnë Xhaferraj dhe Paloka: Po bëheni qesharakë

Nga Gazeta Si- Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj ishte një nga deputetët që reagoi në lidhje me njoftimin që bëri sot kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla se kryedemokrati Basha është zgjedhur edhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie.

Ai tha se ishte bërë konfuz me këtë njoftim, ndërsa pyeste ironikisht Nikollën nëse do të duhet të votonin për kryetar grupi të PS mes Çuçit dhe Bashës.

“Unë jam shumë konfuz. Nuk arrita që të kuptoj fare. Ju na propozuat midis Çuçit dhe Bashës se kush do të zgjidhet kryetar grupi. Jam konfuz”, tha Xhaferraj duke shkaktuar të qeshura në Kuvend.

Nikolla iu përgjigj duke i thënë se këto retorika mund ti bëjë diku tjetër.

“Jeni konfuz. Po e tërhiqni Kuvendin në një situatë të paprecedentë”, tha Nikolla.

Ndërkohë për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i PD Edi Paloka. Ai iu drejtua Nikollës duke i thënë se kjo situatë është qesharake dhe se nuk mund të pranohen një kryetar që vetëzgjidhet.

“Sot dua t’ju vë para një situate të tillë se po shoh se nuk po e kuptoni. Nëse nesër unë mbledh 2 mijë vetë në një sallë dhe e quaj Kuvend të PS dhe zgjidhem kryetar, sekretar e të tjera me ‘ar’ prapa, dhe u them se jam kreu i grupit të PS, çfarë do bënit ju? Kuptoje kështu dhe mos u bëni qesharake si ata. Vjen dikush që u thotë se jam zgjedhur kryetar i PS dhe ju e pranoni”, u shpreh Paloka.

Ndërkohë Nikolla deklaroi se këtë çështje do t’ia kalojë zyrës juridike të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë