Biznes

Zgjatet me 2 vite ligji për investitorët strategjikë, i kritikuar se favorizon një grusht njerëzish

Kuvendi ka miratuar propozimin e deputetit të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi për zgjatjen me dy vite të afateve të ligjit për investimet strategjike.

Kërkesa e deputetit argumentohet me mungesën e një legjislacioni përfundimtar. “Shtyrja e këtij afati është miratuar edhe më parë, pasi nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është në proces hartimi i një projektligji “Për investimet”, i cili ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike”, thotë në relacionin shoqërues deputetit Pëllumbi.

Ligji për investimet strategjike është miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të ofruar mbrojtje të barabartë si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Ideja ishte që ligji të qëndrojë në fuqi deri kur të përfundojë ligji i ri për investimet.

Por, që prej asaj kohe ligjit i është shtyrë me tre herë afati dhe në kërkesën e tretë përmendet pandemia si pengesë që i ka dalë Ministrisë së Financave për ta përmbyllur ligjin e ri.

Nga shifrat zyrtare, deri në korrik të këtij viti janë trajtuar dhe dërguar në Komitetin e Investimeve Strategjike 35 kërkesa për marrjen e statusit të investitorit strategjik, nga të cilat 25 janë miratuar dhe 10 janë refuzuar.

Statusi i investitorit strategjik jepet në gjashtë sektorë; energjitik dhe minerar, transport, komunikime elektronike dhe mbetje urbane, turizëm, bujqësi, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zonat me përparësi zhvillimi, kryesisht ato bregdetare.

Deri më tani, gjysma e investitorëve strategjikë e kanë përfituar këtë status në sektorin e turizmit, kryesisht në projekte për ndërtimin e komplekseve dhe resorteve turistike në bregdet. Këtyre investimeve u është ofruar asistencë në përshpejtimin e procedurave, pajisjen me lejet dhe licencat e nevojshme për realizimin e investimit, vënien në dispozicion të pronave shtetërore të bregut të detit, apo sipërfaqeve pyjore pranë resortit, ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse si: rrugë, rrjet elektrik, ujësjellës, kanalizime dhe asistencë për konsolidimin e tokës, ku përfshihet regjistrimi i pronave në ZVRPP apo marrje në përdorim për periudhë afatgjatë me tarifë simbolike të pronave shtetërorë sipas kërkesës së investitorit.

Në lidhje me këtë ligj ka pasur kritika se po shfrytëzohet nga njerëz pranë qeverisë për të përvetësuar prona shtetërore dhe private në zonat më të lakmuara bregdetare, ndërkohë që vërejtje ka pasur edhe në një parashikim të tij, ku shteti mund t’u marrë pronat qytetarëve për t’i vënë në shërbim të investitorit strategjik.

Ligji thotë në nenin 28 të tij se “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, që kanë përfituar statusin e “Investim strategjik, procedurë e veçantë’’ lejohet shpronësimi i pasurive të paluajtshme pronë private, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin, mbasi janë kryer më parë përpjekjet nga investitori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë