Politike

Tabaku: Kundër zgjatjes së afatit të ligjit për investimet strategjike, prodhoi më shumë beton, më pak zhvillim

Kuvendi miratoi të hënën zgjatjen me dy vite të afateve të ligjit për investimet strategjike, me propozim të deputetit të PS-së, Arben Pëllumbi.

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, tha një ditë më pas se PD-ja është kundër zgjatjes së këtij afati.

“Ligji Investimeve Strategjike u kundërshtua nga opozita dhe në emër të saj unë dërgova në kuvend një amendim të këtij ligji në lidhje me çështjen e pronësisë.

Sipas ligjit, e drejta e pronësisë së tokës do të njollosej pasi investitorit strategjik i jepej një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës. Duke cenuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, atë të kapitalit të tokës.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndër të tjera, evidentonte se problem i Ligjit të Investimeve Strategjike është se korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj. Kështu neni (që u kundërshtua nga opozita) në lidhje me shpronësimin e tokës private të pronarit nga shteti për interesat e një privati tjetër, nuk është eficent dhe dobiprurës.

Deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë investitor të rëndësishëm të huaj që të jetë bërë përfitues nga ky Ligj i Investimeve Strategjike që i heq të drejtën e pronës pronarit”, shkruan ajo në Facebook.

Sipas saj, ”dobia e këtij Ligji mbetet vetëm ajo e vjedhjes dhe abuzimit me pronat e qytetarëve si dhe me ndërtimin e rezorteve turistikë në toka që u merret pronarëve për hiçgjë”.

“Këto nuk janë investime strategjike pasi e gjithë kjo është një maskim për atë që realisht po ndodh në këtë vend; vjedhje me ligje dhe procedura në kurriz të pronarëve dhe shqiptarëve.

Nën frymën e vjedhjes me ligje dhe parlament qeveria është angazhuar për të kurorëzuar disa skema abuzimi ndaj pronës private dhe asaj publike.

Të gjitha këto lëvizje bëhen ndërsa zyra e kadastrës në jug të vendit ka ndërruar drejtuesin e hipotekës më shumë se sa vite qeveri ka kjo mazhorancë...”, shkruan ajo

Tabaku argumenton se, “nuk ka logjikë ekonomike shtyrja në kohë e këtij ligji që ka prodhuar më shumë beton, më pak zhvillim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë