Politike

Zëvendësja që do të drejtojë diplomacinë amerikane në Tiranë

Pas qëndrimit për 4 vite me radhë me mision në Tiranë, Donald Lu-së tashmë i ka mbaruar mandati dhe derisa Senati Amerikan të zhbllokojë kandidaturën e propozuar për ambasador në Tiranë, ai do të zëvendësohet nga zv/ambasadorja Leyla Moses-Ones.

Pak para largimit drejt Kirgistanit, ai ka takuar disa nga personazhet më të njohura të politikës shqiptare. Pasi takoi presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Berisha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, Lu ka përshëndetur paraditen e sotme edhe kryedemokratin Lulzim Basha.

“Takim lamtumire me ambasadorin Donald Lu dhe mirëseardhjeje me zv/Ambasadoren Leyla Moses-Ones. PD krenare për miqësinë dhe bashkëpunimin me SHBA, partnerin strategjik të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shkruan Basha në “Twitter”, pas takimit të lamtumirës me Donald Lu.

Leyla Moses-Ones është aktualisht kreu i përkohshëm i Ambasadës në Tiranë, derisa të mbërrijë ambasadorja e re. Më 20 gusht, për nder të ardhjes së saj në kryeqytetin shqiptar, Ambasada organizoi një pritje. Ajo pritet të jetë në krye të diplomacisë amerikane në Tiranë të paktën përgjatë gjithë shtatorit, muaji që përkon edhe me rindezjen e motorëve politikë shqiptarë, me përplasje për shumë çështje të ditës, por edhe dy reformave kryesore, atë në drejtësi dhe reformën elektorale. Mosses-Ones ka studiuar në National Defence University dhe më parë në Georgetown University dhe është rishtare në karrierën diplomatike.

Para pak kohësh emri i zv/ambasadores u lakua në një shkrim të “Washington Times”, gazetë e njohur për qëndrimet pro-Trump dhe rivalja më e madhe politike e “Washington Post”. Sipas “Washington Times”, diplomatët e majtë që i konsideron si të “emëruarit e Obamës” në Departamentin e Shtetit janë akoma aktivë në Shqipëri, duke komplotuar kundër Presidentit amerikan. Gazeta shkruante se përveç detyrave diplomatike, përfaqësuesit amerikanë kryejnë edhe detyra të tjera politike dhe administrative. “Lejla Moses, drejtuesja e përkohshme e Ambasadës Amerikane në Tiranë deri në mbërritjen e ambasadores së re, sipas gazetës amerikane, ka publikuar një sërë postimesh duke vënë në dukje “agjendën djallëzore” kundër Presidentit amerikan. Ajo ka shpërndarë në profilin e saj zyrtar në Twitter një intervistë të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili sulmonte ashpër Donald Trump, duke e quajtur gënjeshtar dhe të korruptuar”, shkruante “Washington Times”.

Në profilin e saj në Twitter, shkruan: “Shijoj të eksploroj universin e njerëzimit dhe fjalëve. Pikëpamjet janë personale, vetëm personale. Ripostimet NUK janë qëndrime”.

Ndërsa ambasadorja e re në Shqipëri do të jetë Kathleen Ann Kavalec, e cila u emërua nga presidenti Trump.  

Kathleen Ann Kavalec është përmendur në një hetim të kohëve të fundit të Shtëpisë së Bardhë si një nga punonjëset e Departamentit të Shtetit që ka folur me Christopher Steele për dosjen e rreme që ai krijoi për presidentit Trump për ta rrëzuar nga pushteti. Shtëpia e Bardhë mund të ketë rënë në lojën e saj, pasi seanca e konfirmimit të saj papritmas u shty.

Emërimi i saj është zyrtarizuar nga Departamenti i Shtetit. Tani ka mbetur një hap thuajse formal, por nuk dihet a do të miratohet nga Senati.

Ndërsa, Donald Lu mbrëmjen e kaluar në intervistën e fundit për mediat shqiptare përjashtoi mundësinë që pasaardhësja e tij, Kathleen Kavalec, të ndjekë një linjë tjetër nga agjenda që ka ndjekur diplomacia amerikane në Tiranë, ndërsa u shpreh optimist se ajo do të kalojë në Senat brenda këtij muaji.

“Ajo do të vazhdojë agjendën, sepse është në interes të qeverisë së SHBA. Kathy do të sjellë energji dhe vendosmëri të re në punën e Ambasadës së SHBA këtu”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë