Art dhe Kulture

Zëri i Rozmarisë

"Mezi po prisje të bashkoheshe me babin dhe sot, në ditëlindjen e tij u ngjite lart". Me këto fjalë të ndjera kantautori Gjergj Leka i jepte lamtumirën e fundit të ëmës, me zemrën në pezm të kujt ka humbur njeriun më të dashur, pa mundur t’i japë puthjen e fundit.

Rozmari Jorganxhi u shua të hënën, në moshën 83-vjeçare duke lënë pas një jetë me role si mexosoprano e Teatrit të Operas dhe Balerit dhe  duke lënë një gur themeli të rëndësishëm si e para dirigjente grua e korit të TKOB-it, duke ua shtruar kështu rrugën kolegeve, që përballeshin sa me maskilizmin e trashëguar  ndër shekuj aq edhe me censurën e  regjimit.

Ishte viti 1959, kur korçarja e talentuar e nisi karrierën  si soliste lirike, duke sjellë mjeshtërisht në skenë një galeri personazhesh të larmishëm, nga operat shqiptare tek ato më të  famshme.U spikat në opera si “Jollanta”, “Nusja e Shitur”, Evgjeni Onjegin”; “Cavalleria Rusticana”; “Mrika”; “Madama Butterfly”; “Lulja e kujtimit”; “Princesha e Çardashit”; “Rigoletto”; “Skënderbeu”, e shumë të tjera.

Nga Opera Skënderbeu

Në gati një dekadë brenda TKOB, ajo nisi të dirigjojë korin nga 1967-1984. Repertori solistik i Rozmari Jorganxhi është i pasur, i larmishëm dhe përfshin krijime të të gjitha gjinive dhe është interpretuar në mjaft koncerte dhe shfaqje operash brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe ka vënë në skenë dhjetëra vepra shqiptare dhe të huaja.

Rozmari Jorganxhi ka dhënë kontribut edhe në fushën e pedagogjisë, ku nën drejtimin e saj janë diplomuar breza studentësh, që sot vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit.

Madama Butterfly, Rozmari Jorganxhi

Grua me forcë të jashtëzakonshme që i sfidonte vitet me vokalin e saj. Më 1993-shin, duke lënë pas Shqipërinë e sapohyrë në tranzicion, me institucionet e kulturës të lëna gati jetime, në kapërthyell  të ndryshimit të regjimeve politike, Jorganxhi nuk shkon në Itali si emigrante e thjeshtë.

https://www.youtube.com/watch?v=-lKwPnQGCL0

Në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe nis të punojë si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes,  ku këndoi për 10 vjet. Ishte qyteti ku kishte lindur i shoqi, Kostandin Leka, triestinas nga nëna dhe durrsak nga i ati.

 Për aktivitetin e saj është vlerësuar dhe nderuar me çmime, medalje, dhe tituj të shumtë  si Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, të klasit të dytë dhe në vitin 2017, u vlerësua me titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Rozmari Jorganxhi duke dirigjuar korin e TKOB

Ndonëse ndërroi jetë fizikisht, duke zgjedhur pikërisht ditën e lindjes së bashkëshortit, shkëncëtarit dhe shkrimtarit të librave fantastiko-shkencorë, zëri i mexosopranos mbetet i gjallë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe do të mbahet mendja si gruaja që theu dominimin mashkullor të dirigjimit të koreve në teatër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë