Historia e gjatë e dashurisë mes Serxhio Ramosit dhe Realit të Madridit është në fundin e saj. Kontrata e mbrojtësit dhe kapitenit të madrilenëve skadon në qershor dhe tratativat për rinovimin nuk kanë pasur sukses deri tani.
Duke parë humbjet e mëdha të shkaktuara nga Kovid-19, klubi spanjoll i ka propozuar futbollistit një ulje 10% të pagës aktuale, por Ramos nuk e ka pranuar dhe lamtumira e tij pas 16 vitesh duket e sigurt. Sipas asaj që bën me dije “El Chiringuito”, nuk ka asnjë mundësi që Serxhio Ramos të qëndrojë te Reali. PSG po ndjek me vëmendje situatën dhe është gati të përfitojë në çdo moment për të nënshkruar me mbrojtësin që ka fituar gjithçka me Realin.
Kohët e fundit janë shtuar shumë zërat se Ramos mund të përfundojë te parisienët sezonin e ardhshëm bashkë me Lionel Mesin, që është edhe objektivi kryesor i skuadrës së drejtuar nga trajneri Poketino. Nëse Ramos largohet, Reali me siguri humbet shumë, pasi “El gran capitan” ka qenë një nga elementët kyç në sukseset e madrilenëve. Ramos shpesh ka shënuar gola me peshë, që i kanë sjellë trofe Realit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.