Bota

Zemërim në sheshet arabe kundër ambasadave izraelite, molotov kundër sinagogës në Berlin

Gazeta Si - Sheshet arabe rebelohen hapur kundër Izraelit dhe përqafojnë versionin e Hamasit në lidhje me raketën që ra në spitalin në Gaza.

Ndërsa rriten pasiguritë në lidhje me përgjegjësitë dhe dëmet e shkaktuara nga shpërthimi, një sërë demonstratash masive dhe armiqësore ndaj Izraelit dhe vendeve perëndimore po zhvillohen në një sërë qytetesh arabe.

Objektivat e protestave, të cilat herë pas here marrin tone haptazi agresive, janë ambasadat e Tel Avivit, SHBA-ve dhe Italisë.

Gjithashtu në këtë drejtim, një episod shqetësues ka ndodhur në Berlin ku një sinagogë është dëmtuar nga hedhja e shisheve djegëse. Këtu është një pasqyrë e asaj që po ndodh

AMAN - Mbi 5000 njerëz u mblodhën pranë ambasadës izraelite në kryeqytetin jordanez. Apelet për të dalë në rrugë u shumuan në rrjetet sociale, policia u përpoq të frenonte turmën dhe mbylli rrugët ngjitur me selinë diplomatike.

KAJRO DHE RABAT - Ministria e Jashtme izraelite ka urdhëruar evakuimin e stafit të ambasadave izraelite në Marok dhe Egjipt për shkak të protestave lokale për bombardimet në Rripin e Gazës.

Gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” raportoi lajmin në faqen e saj të internetit, duke shtuar se evakuimi i bashkohet gjendjes së alarmit të shpallur në të gjitha ambasadat izraelite në mbarë botën.

BEJRUT - Forcat libaneze të sigurisë u detyruan të përdornin topa uji për të ndaluar protestuesit që u përpoqën të arrinin në ambasadën e Shteteve të Bashkuara pas një proteste të organizuar në mbështetje të viktimave të Gazës.

STAMBOLL - Një person humbi jetën dje në protestat masive që u zhvilluan para konsullatës izraelite.

Sot xhamitë në të gjithë Turqinë kënduan me altoparlantë 'sela', thirrjen për unitet dhe kujtim të të gjithë besimtarëve përballë një ngjarjeje të rëndë, një kërcënim urgjent. Kjo nuk ka ndodhur në Turqi që nga viti 2016.

TEHERAN – “Vdekje Francës dhe Anglisë”, thërrisnin protestuesit në Teheran, kryeqytetin e Iranit, duke hedhur vezë kundër mureve të kompleksit të ambasadës franceze.

TUNIS – Mijëra protestues u mblodhën jashtë ambasadës francize në Tunizi për të shprehur zemërimin e tyre kundër sulmit në Gaza.

“Shkarkimi i ambasadorit është detyrë”, thërrisnin protestuesit që akuzuan Francën, por edhe Shtetet e Bashkuara, si “aleate të sionistëve”.

TRIPOLI - Një grup protestuesish të mbledhur mbrëmjen e djeshme në qendër të kryeqytetit libian për të deklaruar solidaritetin me popullin palestinez, arritën në ambasadën italiane, duke akuzuar se mbështet "agresionin e Izraelit në Gaza", raporton “Libya Observer”.

BERLIN – Një sinagogë u sulmua me koktej molotovi. Sipas policisë gjermane, tempulli i komunitetit Kahal Adass Jisroel në lagjen “Mitte” u godit me dy mjete ndezëse.

Kompleksi në Berlinin qendror strehon një sinagogë, një kopsht fëmijësh dhe një qendër komunitare.

Pati përleshje gjatë natës midis emigrantëve myslimanë dhe policisë në lagjet “Neukoelln” dhe “Kreuzberg” dhe në Portën historike të Brandenburgut, në të cilat u plagosën disa oficerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë