Nga Gazeta ‘Si’– Shefja e FMN, Kristalina Georgieva u takua me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, menjëherë sapo ky i fundit mbërriti në Uashington, për të nisur vizitën zyrtare atje, teksa fondi ekzekutiv aprovoi disbursimin e 900 milionë dollarëve për vendin në luftë, pjesë e programit 15.6 mld dollarë, si hua për Ukrainën.
Georgieva e përgëzoi Zelenskyn për rritjen ekonomike pozitive, pavarësisht luftës dhe e siguroi atë për mbështetjen e vazhdueshme financiare. Sipas FMN, ekonomia e Ukrainës, pavarësisht luftës që prej shkurtit të vitit 2022, vazhdon të tregojë sinjale pozitive dhe për këtë vit, por edhe parashikimi për 2024, vazhdon të jetë pozitiv, për rritje ekonomike me ritme të kënaqshme.
Presidenti Zelensky ndërkohë pritet të takohet edhe me homologun e tij amerikan, Joe Biden këtë të martë dhe me zyrtarë të Kongresit, teksa në këtë vizitë të radhës në Uashington, do të kërkojë të marrë aprovimin për paketën e radhës të ndihmës nga Amerika, që do të ishte jetësore për Kievin për të vijuar rezistencën ndaj rusëve.
Zyrtarët e administratës e kanë parë prej kohësh Zelenskyn si avokatin më efektiv të vendit të tij dhe ai ka kaluar 21 muaj që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022 duke iu drejtuar parlamenteve, asambleve, samiteve ndërkombëtare dhe shfaqjeve të çmimeve për të mbledhur mbështetje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.