Politike

Zelensky i ftuari sekret sonte në Athinë, në darkën e liderve të Ballkanit mungon Shqipëria

Sot në mbrëmje në Athinë mblidhen liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Në takimin informal, të organizuar për Samitin e Ballkanit Perëndimor-BE, do të marrin pjesë Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Sipas gazetës greke Protothema, një i ftuar surprizë do të jetë në mbrëmjen në Athinë, që u mbajt sekret nga zyrtarët grekë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mësohet se do të jetë pjesë e darkës.

Zelensky është në një turne evropian këto ditë, pasi ka vizituar Suedinë, Danimarkën dhe Holandën.

“Ndërkohë në darkë mungon Shqipëria, mungesa e së cilës vë në pah “ngrirjen” e marrëdhënieve greko-shqiptare, pas burgosjes së kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri”, shkruan gazeta greke.

Qeveria greke nuk i dërgoi ftesë kryeministrit Rama për të marrë pjesë në takimin informal, për shkak të burgosjes së Fredi Belerit. Ndërkohë ftesa iu është dërguar Presidentit Bajram Begaj, i cili e ka refuzuar ftesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë