Ne rrjet

Zelenski-Xi Jinping, telefonata e parë që nga fillimi i luftës: Çfarë diskutuan në një orë bisedë

Presidentët e Kinës dhe Ukrainës kanë folur në telefon për herë të parë pas më shumë se një viti lufte (edhe pse Pekini nuk e përdor kurrë këtë fjalë). Njoftimi u bë nga Pekini në anglisht dhe menjëherë pas kësaj, në gjuhën ruse

Gazeta Si - Pas një viti vonesë dhe muajsh apelesh nga komuniteti ndërkombëtar, Xi Jinping më në fund ka folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Telefonata u njoftua nga Pekini: Znj. Hua Chunying, ndihmës-ministrja e Jashtme dhe zëdhënësja, e postoi lajmin në Tëitter në anglisht dhe më pas në rusisht.

Menjëherë pas, përsëri në Twitter, deklarata e parë e Zelenskit. “Kam pasur një bisedë të gjatë dhe kuptimplote në telefon me presidentin kinez, shpresoj për një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe” mes Kievit dhe Pekinit.

Telefonata ka zgjatur rreth një orë, thonë burimet ukrainase. Televizioni shtetëror i Pekinit raportoi se Xi, i tha Zelenskit se "dialogu dhe negociatat janë e vetmja rrugëdalje" nga konflikti me Rusinë.

Xi shtoi se Pekini do të dërgojë një përfaqësues special në Kiev për bisedime që synojnë zgjidhjen e krizës.

Më 24 shkurt, Kina publikoi propozimin e saj për një "zgjidhje të krizës ukrainase" (që nuk përcakton luftën apo pushtimin nga pala ruse), pika e parë e të cilit është kërkesa për një armëpushim, pa kërkuar megjithatë tërheqjen e ushtrisë ruse nga territoret ukrainase të pushtuara në mënyrë agresive.

Shumë liderë evropianë, të udhëhequr nga francezi Emmanuel Macron, po i kërkojnë Xi Jinping të ushtrojë presion ndaj Putinit dhe të ndërmjetësojë për t'i dhënë fund armiqësive.

Por deri më tani udhëheqësi kinez nuk kishte ndërmarrë asnjë hap drejt Ukrainës, pavarësisht ftesave të përsëritura edhe nga Zelensky për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë.

Tani, në komunikimin e shumëpritur me Kievin, Xi ka siguruar se "pozicioni themelor" i Kinës është të "promovojë bisedimet për paqe".

Xi nuk kishte folur me Zelenskin që nga 4 janari 2022: atë ditë shënoi përvjetorin e tridhjetë të marrëdhënieve diplomatike midis Pekinit dhe Kievit, të vendosura pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Në telefonatën festive, presidenti kinez lartësoi besimin e ndërsjellë, bashkëpunimin tregtar e kulturor, miqësinë e thellë mes dy popujve.

Pikërisht një muaj më vonë, më 4 shkurt, Xi priti Vladimir Putin në Pekin për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, e cila u braktis nga udhëheqësit perëndimorë, ku u shpall “partneriteti i pakufishëm”.

Kinezët mohojnë se ishin informuar atëherë se njëzet ditë më vonë, më 24 shkurt 2022, ushtria ruse do të sulmonte Ukrainën.

Është domethënëse që pas një pritjeje të gjatë, Xi vendosi të flasë me Zelenskin menjëherë pas rastit (skandalit) të deklaratës së ambasadorit kinez në Paris, i cili të premten më 21 prill të javës së kaluar, duke iu përgjigjur një pyetjeje për kufijtë ukrainas dhe rusë - Krimenë e pushtuar në vitin 2014 ai tha: “Varet se si e perceptoni problemin. Ka histori. Krimea ishte pjesë e Rusisë, ishte Hrushovi që ia ofroi Ukrainës në kohën e BRSS”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë