Bota

Zelenski optimist: Putini është i dobët, fuqia e tij po shkatërrohet

Gazeta Si - Përgjigja e Vladimir Putin ndaj rebelimit nga grupi paramilitar Wagner ishte "i dobët" dhe presidenti rus "po humb kontrollin mbi popullin e tij".

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, e tha në një intervistë dhënë stacionit televiziv CNN: "Së pari, ne kemi parë që Putini nuk ka kontroll të plotë. Fakti që Brigada Wagner u zhvendos thellë në Rusi dhe pushtoi disa rajone tregon se sa e lehtë është. Putin nuk e kontrollon situatën në rajone. E gjithë ajo fuqi vertikale që kishte është duke u shkatërruar.

Sipas Zelenskit, "raportet e inteligjencës ukrainase" tregojnë se gjatë kryengritjes Kremlini po merrte pulsin e mbështetjes ruse për kreun e Grupit Wagner Evgenji Prigozhin dhe thuhet se zbuloi se rreth "gjysma e rusëve e mbështetën" kryengritjen.

Gjatë intervistës, Zelenski kritikoi edhe një herë rrjedhjet në mediat amerikane në lidhje me konfliktin në Ukrainë: ai tha se ishte "i befasuar" që takimi i tij i fundit në Kiev me drejtorin e CIA-s, William Burns u zbulua në media dhe shtoi në lidhje me këtë se “nuk kemi sekrete nga CIA, sepse kemi një marrëdhënie të mirë. Shërbimet tona të inteligjencës flasin me njëri-tjetrin”.

Presidenti ukrainas tha se rebelimi i Prigozhin, "pati një ndikim të madh në forcën e rusëve në fushën e betejës", duke lehtësuar kundërsulmin e Ukrainës.

Në fund, Zelenski u kthye për të përjashtuar kategorikisht çdo lëshim territorial ndaj Rusisë, përfshirë Krimenë: “Ne nuk mund ta imagjinojmë një Ukrainë pa Krimenë. Për sa kohë që Krimea mbetet nën pushtimin rus, lufta nuk mund të thuhet se ka përfunduar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë