Bota

Zelenski në Shtëpinë e Bardhë, për të thyer ngërçin në Senat për ndihmat e Ukrainës

Gazeta Si - Presidenti amerikan Joe Biden do të presë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenski në Shtëpinë e Bardhë të martën, ndërsa diskutimet mbi një marrëveshje ndihme për Ukrainën mbeten të bllokuara në Kongres.

Vizita, të cilën Shtëpia e Bardhë e njoftoi të dielën, është vizita e dytë e Zelenski në Uashington që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ai e vizitoi SHBA-në për herë të fundit në shtator.

Vizita e Zelenskit vjen në një moment kritik të negociatave të Kongresit për ndihmë urgjente për Ukrainën.

Takimi ka për qëllim të “theksojë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa ata mbrojnë veten kundër pushtimit brutal të Rusisë”, tha në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Ai e vizitoi për herë të fundit në shtator. Udhëtimi në Uashington vjen në një moment kritik, teksa republikanët edhe demokratët debatojnë në lidhje me paketën e ndihmës që arrin miliarda Dollarë.

Republikanët në Kongres kanë kushtëzuar mbështetjen e kësaj ndihme me reformat gjithëpërfshirëse të emigracionit dhe azilit në SHBA.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar ligjvënësit se fondet amerikane për Ukrainën mund të mbarojnë së shpejti dhe se Amerika mund të detyrohet të përfshihet direkte në luftë me Rusinë.

Paketa e ndihmës prej 106 miliardë Dollarësh nga administrata përfshin rreth 60 miliardë Dollarë ndihmë për mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet për Izraelin, sigurinë në Tajvan etj.

Presidenti ukrainas do të lobojë personalisht në Kongres dhe Dhoma e Përfaqwsuesve gjatë vizitës së tij në Amerikë për t’i bindur ligjvënësit për ndihmën emergjente që vendi i tij pret në luftën ndaj pushtuesit rus.

Udhëheqësit do të diskutojnë edhe nevojat urgjente për mbrojtjen edhe për vitin e ardhshëm, duke përfshirë projektet e përbashkëta për prodhimin e armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Zelenski udhëtoi për në SHBA nga Argjentina ku mori pjesë në betimin e presidentit të ri Argjentinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë