Futboll

Ze Maria, ’miku’ i Silvinjos që rinoi dhe pasuroi Tiranën!

Nga Gazeta Si - Jose Marcello Ferreira, apo i njohur sportivisht si Ze Maria, ka qenë i njohur në Shqipëri si futbollist i Brazilit, Interit dhe e Parmës në Serinë A. Po luajte në Itali sigurisht që do kesh shumë fansa, aq më tepër kur je dhe pjesë e një kombëtareje të madhe si Brazili.

Ze Maria u prezantua në qershor të vitit 2017 si trajner i Tiranës. Ishte sezoni më i errët në historinë e klubit më të titulluar në vend, pasi për herë të parë që nga themelimi zbriti në Kategorinë e Parë. Braziliani riktheu në Superiore për t’u largua pastaj në tetor të vitit 2018.

Një vit i vështirë për nga aspekti psikologjik, por edhe i lehtë për t’u rikthyer. Një trajner brazilian, shumë larg mentalitetit tonë, ra në sy për aktivizimin e shumë të rinjve, të cilët sot kanë sjellë para në futbollin vendas, ndërkohë që vetë luajnë në Europë dhe janë pjesë e Kombëtares. Ekskluzivisht për Gazeta Si, Ze Maria rrëfen të tashmen dhe të shkuarën, duke mos harruar një karrierë të filluar në Brazil bashkë me Silvinjon, trajnerin e kuqezinjve.

Çfarë bën sot Ze Maria?

Kam 2 vjet që punoj në sektorin e të rinjve të Parmës. Jam përgjegjës i sektorit të fëmijëve dhe të rinjve.

Sot brazilianët nuk janë më një risi në futbollin shqiptar. Një patriot dhe bashkohës juaji, Silvinjo, drejton kombëtaren tonë?

E di që Silvinjo drejton Kombëtaren tuaj dhe po e bën shumë mirë. Jam shumë i lumtur për të dhe për popullin shqiptar, që e meriton këtë gëzim.

Njiheni bashkë?

Silvinjo dhe unë e filluam karrierën së bashku, në ekipe të ndryshme: unë në Portuguesa dhe ai në Korinthias. Më pas bëmë debutimin në kombëtaren tonë në të njëjtën periudhë. Pra, ne kurrë nuk takoheshim rregullisht, por kishte gjithmonë një respekt të jashtëzakonshëm mes nesh dhe një gëzim kur shihnim ngritje të karrierës sonë.

Si e kujtoni futbollin shqiptar?

Kam kujtime të mira nga futbolli shqiptar, fitoret me Tiranën dhe gjithçka që rrethon një ambient futbolli që ka një dëshirë të madhe për t'u rritur.

Ju jetoni në Itali aktualisht, ndërkohë që në Serinë A janë një sërë lojtarësh shqiptarë që po paraqiten shumë mirë? Si i keni parë ata?

Lojtarët shqiptarë që ndodhen në Itali janë rritur shumë falë një mentaliteti ndryshe, më konkurrues, të një niveli më të lartë krahasuar me atë shqiptar dhe rezultatet po mbërrijnë në nivel kombëtar.

Te Tirana, veç të tjerave, kujtoheni për futjen e elementëve të rinj si Ernest Muçi e ndonjë tjetër. E dini ku është Ernesti tani?

Jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë që po ndodh në karrierën e Ernestit. Është një djalë shumë serioz, profesionist, që në moshën 16-vjeçare e kam sjellë në ekipin e parë. Nuk ishte e lehtë për ta rritur, sepse disa prindër u ankuan se nuk kisha sjellë fëmijët e tyre, edhe pse ata ishin më të mëdhenj se ai. Por gjithmonë më ka interesuar pak “problemi” i moshës. Më pëlqejnë lojtarët që dinë të luajnë mirë futboll dhe ai, si dhe 2 të tjerët (Marsel Ismajlgeci dhe Jurgen Çelhaka) që i solla në ekipin e parë, dinin të luanin shumë mirë futboll. Në fakt, janë këta tre lojtarë që u shitën, 500.000 euro Muçi nga Tirana te Legia e Vashavës, Çelhaka për 200.000 euro dhe Ismailgeci për 150 mijë euro.

Nuk mund të shmangim pyetjen për grupin e Kombëtares sonë në Europianin Gjermani 2024, ku përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë…

Shqipëria do të ketë një grup të vështirë, shumë të vështirë, por në futboll ata e dinë shumë mirë që asgjë nuk merret si e mirëqenë dhe gjithçka mund të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë