Drejtësia

Zbutet konflikti për pronën te Kepi i Rodonit, kërkohet ‘detyrim paraqitje’ për 8 të ndaluarit (edhe Mark Frrokun)

Gazeta Si - Konflikti për pronën te “Kepi i Rodonit” duket se është zbutur tre ditë pas ngjarjes, ku dyshohet se është përdorur edhe arma e zjarrit.

Prokuroria e Durrësit, ka lehtësuar akuzat ndaj 8 personave të ndaluar, mes tyre edhe ish-deputeti Mark Frroku.

Kështu, Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” në mungesë për Besnik Tomën, i cili është i shpallur në kërkim nga policia si personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë konfliktit të pronësisë mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike. Truproja i Frrokut, akuzohet për mbajtje pa leje të armëve dhe kanosje me armë.

LEXO EDHE:
Konflikti për pronësinë te Kepi i Rodonit, arrestohet ish-deputeti Mark Frroku. Në kërkim truproja, dyshohet se qëlloi me armë

Ndërkohë, organi i akuzës, ka kërkuar masën “detyrim paraqitje” për personat e tjerë të përfshirë në sherr, mes të cilëve edhe ish-deputeti Mark Frroku, si përfaqësues i kishës.

Të gjithë akuzohen për veprat penale, “vetëgjyqësi”, “përkrahje autori” dhe “plagosje e lehtë me dashje”.

Personat e tjerë për të cilët Prokuroria ka kërkuar masën “detyrim paraqitje” janë: Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.

Për sherrin mes Kishës dhe një familjeje që do të degjeneronte me përdorim armësh, shkak u bë rrethimi i një zone bregdetare në vendin e quajtur Kepi i Rodonit në Durrës, për të cilën të dyja palët, pretendojnë se disponojnë certifikatë pronësie.

Më 28 tetor, Mark Frroku do të vihej në pranga bashkë me personat që e shoqëronin.

Policia tha se ish-deputetin dhe personat që ishin me të i ka referuar në prokurori nën katër akuza, mes të cilave edhe prishje të rendit dhe të qetësisë publike.

Referuar të dhënave të hetimit mësohet se në dëshminë e tij, Frroku ka mohuar të kishte lidhje me pronën, por ai ishte kontraktuar nga ana e Kishës për të ngritur murin rrethues për mbi 5 mijë metër katrorë tokë.

Kisha, përmes përfaqësuesit ligjor të saj, bëri të ditur se ka ndërprerë kontratën me përfaqësuesen e mëparshme të saj Ana Shtjefni, e cila në konfliktin mes palëve ka kaluar në mbështetje të banorëve duke deklaruar se të drejtën e pronës mbi tokën e ka familja Kaculi.

Gjithsesi, do të jenë autoritetet lokale, fillimisht Kadastra e Durrësit, e cila do të përcaktojë situatën e tokës në konflikt dhe në rast se do të ketë mbivendosje prone, çështja do të kalojë në gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë