Rend dhe Ligj

Konflikti për pronësinë te Kepi i Rodonit, arrestohet ish-deputeti Mark Frroku. Në kërkim truproja, dyshohet se qëlloi me armë

Gazeta Si - Ish-deputeti Mark Frroku është në mes të 8 personave të arrestuar nga policia për shkak të përfshirjes së tij në një sherr masiv që ndodhi të dielën në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës.

Ngjarja ndodhi në fshatin Shetaj, ku disa banorë janë konfliktuar me 4 përfaqësues të Kishës Katolike për shkak të një prone të pretenduar nga të dyja palët.

Konflikti degjeneroi në përdorimin e sendeve të forta, ndërsa në vendngjarje policia gjeti edhe një gëzhojë. Disa prej personave të përfshirë në sherr përfunduan në spital dhe morën mjekim.

Policia tha se të arrestuarit e tjerë janë: Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka (banorë të zonës) dhe Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri (përfaqësues të Kishës Katolike).

Vendi i konfliktit te Kepi i Rodonit

Ngjarja

Banorët e zonës nuk i kanë lejuar përfaqësuesit e kishës që të bëjnë këtë rrethim, pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Policia njofton se personi që ka qëlluar me armë zjarri, shtetasi me iniciale B.T., është shoqërues i Mark Frrokut dhe është shpallur në kërkim.

Banorët e zonës, Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka, akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”.

Ndërsa personat që pretendojnë se janë përfaqësuesit e kishës: Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda dhe Martin Lazeri, akuzohen për veprat penale “Kanosja”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Autoritetet po ashtu sqarojnë se “në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka pasur herë pas here, mes palëve”.

Vendi i konfliktit te Kepi i Rodonit

Dëshmia në polici

Në dëshminë paraprake në Policinë e Durrësit, ish-deputeti Mark Frroku nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me konfliktin për pronën tek Kepi i Rodonit.

Sipas burimeve paraprake, pavarësisht se blutë kanë administruar pamje filmike ku dokumentojnë veprimet e dhunës, Frroku u ka thënë hetuesve se nuk dinte asgjë, nuk kishte ndodhur asgjë dhe nuk ishte konfliktuar askush.

Për shkak të deklarimeve të tij i janë shtuar në ngarkim edhe veprat penale moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Praninë e tij në zonë e ka justifikuar si ndërtues i murit dhe se ishte pajtuar nga përfaqësuesit e kishës.

Bëhet e ditur se të njëjtën gjë ka pretenduar edhe për shoferin e tij Besnik Toma, sipas të cilit nuk ka asnjë dijeni të ketë qëlluar me armë. Toma rezulton të jetë kushëri i parë i ish-deputetit.

E shkuara e errët e Mark Frrokut

Në vitin 2018 ish-deputeti i Shkodrës u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Tiranë me 6 vite burg, pasi u shpall fajtor për pastrim parash, fshehje pasurie dhe ndërtim të paligjshëm.

Në fakt, Prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg për Frrokun edhe për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Bruksel, por togat e zeza e pushuan këtë akuzë me argumentin se ajo nuk mund të provohej nga provat e sjella në gjykim.

Mark Frroku qëndroi 3 vjet në qeli, pasi u arrestua në prill të vitit 2015 pas publikimit të çështjes “Doshi”.

Por më pas ai u mbajt në qeli me kërkesë të Prokurorisë pas mbërritjes së një urdhër-arresti nga Belgjika për vrasjen Aleksandër Kurtit.

Disa kohë më vonë, Prokuroria e Tiranës i ngriti edhe disa akuza që kishin të bënin me pasurinë e tij, për të cilat edhe u dënua.

Pas apelimit të tij për zbutje të dënimit, Gjykata e Fierit, pranoi kërkesën e Frrokut për ndryshimin e masës së sigurisë dhe vendosi t’i ulë dënimin me 1 vit burg me masë “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë