Politike

Zbulohet raporti i Fleckenstein, krimi dhe korrupsioni vendosin për negociatat

Mentor Kasa - Draft-raporti i Knut Fleckenstein për progresin e Shqipërisë, që në muajin dhjetor do t’i paraqitet Parlamentit Europian për miratim nuk reflekton klimën politike aktuale në vend. Raportuesi për Shqipërinë është ndalur tek fjalitë standarde se “bashkëpunimi mes partive politike është me rëndësi në rrugën e vendit drejt BE-së”, vlerëson reformën në drejtësi dhe bën thirrje për më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Drafti njeh progresin e bërë në reformën në drejtësi, por kërkon që të përshpejtohet procesi në ngritjen e dy strukturave kyçe të këtij sistemi, SPAK-ut dhe BKH-së.

“Theksojmë se reforma në drejtësi është një kërkesë madhore e qytetarëve shqiptarë dhe hapi i parë për rivendosjen e besimit tek drejtësia, institucionet publike dhe përfaqësuesit politikë”, thotë drafti.

Raportuesi për Shqipërinë nënvizon gjithashtu se besueshmëria e këtij procesi varet fort nga ecuria e vettingut, ecuria e ngadaltë e të cilit qortohet.

“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të përshpejtojnë procesin e vettingut, por pa minuar cilësinë dhe paanshmërinë e procesit”, thuhet në këtë draft-raport.

Më shumë punë kërkohet edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe sidomos trafikut të lëndëve narkotike dhe të qënieve njerëzore.

“U kërkojmë autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin hapa vendimtarë në çmontimin e rrjeteve kriminale të angazhuara në trafikun e lëndëve narkotike, qënieve njerëzore dhe trafikun e armëve, jo vetëm për të rritur numrin e hetimeve, por edhe të dënimeve përfundimtare”, deklarohet në draft.

Drafti i Fleckenstein mirëpret përditësimet e fundit në legjislacionin antikorrupsion, por në këtë drejtim kërkon më shumë bashkëpunim mes vetë institucioneve ligjzbatuese shqiptare dhe rithekson se mungojnë ndëshkimet për këto akuza të zyrtarëve të lartë.

“Komisioni bën thirrje për më shumë vëmendje në luftën kundër korrupsionin politik dhe atij në marrëdhëniet publik-privat. Theksojmë se një historik ndëshkimesh, përfshirë të korrupsionit në nivelet e larta, mund të vendoset vetëm përmes hetimeve proaktive”, thuhet aty.

Një kërkesë e përhershme është lufta kundër informalitetit në ekonomi, ndërsa paralajmëron efekte negative tek punësimi dhe politikat sociale shkrirja e Ministrisë së Punës, si pjesë e ristrukturimit të kabinetit qeveritar.

“Inkurajojmë autoritetet shqiptare që të shtojnë bashkëpunimin me unionet tregtare, të ndërmarrin masa efektive për të ulur papunësinë e lartë, sidomos tek të rinjtë dhe të përmirësojë më tej cilësinë e arsimimit”, thotë drafti.

Raporti reflekton shqetësimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian se “Shqipëria mbetet e para në Ballkanin Perëndimor nga ku burojnë shkeljet më të mëdha të kushteve të lëvizjes së lirë dhe kërkesat më të larta të pabazuara për azil”.

Për reformën zgjedhore, draft-raporti mirëpret miratimin rishikimin e ligjit për financimin e partive politike, u bën thirrje partive politike që t’u qëndrojnë detyrimeve ligjore për të përjashtuar nga institucionet publike të gjithë personat me rekorde kriminale dhe nxit adresimin në kodin elektoral të ri të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Amendimet

Eurodeputetët kanë paraqitur një sërë amendimesh për draft-raportin e Knut Fleckenstein, që nga përcjellja e një mesazhi më të drejtpërdrejtë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nënvizimi se hapja e negociatave në qershorin e ardhshëm nuk është fakt i kryer dhe deri tek amendimet e eurodeputetëve grekë dhe qipriotë për më shumë punë në drejtim të garantimit të së drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera të minoriteteve.

Interesant është amendamenti 24, i paraqitur nga vetë Knut Fleckenstein. Në versionin fillestar të draftit, gjuha e përdorur nga eurodeputeti në paragrafin 2 i bën thirrje të drejtpërdrejtë Këshillit që të hapë pa vonesa negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

“I bëjmë thirrje Këshillit që të hapë bisedimet pa vonesa në mënyrë që të shfrytëzohet momenti i reformave. Vlerësojmë se hapja e negociatave do të nxisë edhe më tej thellimin e reformave të ndërmarra”, thuhet në versionin origjinal të draft-raportit.

Fleckenstein kërkon amendimin e këtij paragrafi, ku gjuha e përdorur për hapjen e negociatave është më e përmbajtur.

“Marrim në konsideratë vendimin e këshillit për të rivlerësuar situatën në qershor të 2019, mirëpresim rrugën e hapur për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe nënvizojmë faktin se puna parapërgatitore kanë nisur tashmë. I bëjmë thirrje Këshillit që të vlerësojë objektivisht dhe në mënyrë të drejtë në bazë të progresit të bërë nga vendi me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në amendim.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë