Ka ndodhur

Zbulohet një tjetër depo armësh në Tiranë në një ambient të izoluar plotësisht me mur

Zbulohet një tjetër depo e fshehtë me armë në kryeqytet, në një ambient të fshehur në pronësi të Sokol Xhurës, të hetuar si pjesë e operacionit “Kompleks”, të zhvilluar më 1 prill, ku u zbuluan 18 baza armësh.

SPAK njoftoi se nga ana e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është realizuar kontrolli i këtyre ambienteve, në rrugën Xhanfize Keko, ish-ndërmarrja artistike “Migjeni”, pranë ish-oxhakut të kësaj ndërmarrje, në një ambient të izoluar plotësisht me mur.

“Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj. Nga ana e policisë gjyqësore është duke vazhduar dokumentimi me hollësi, i kësaj veprimtarie. Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Policia njoftoi se ka gjetur dhe sekuestruar në një ambient të përshtatur, një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak: 50 automatik, 1 pushkë të precizionit të lartë (Snajper), 1 snajper draganoz, 1 antitank, 19 kundërajrorë, mitroloz (2 të rëndë dhe 1 të lehtë), pajisje ushtrarake, 10 dybli që përdoren për pushkët dhe snajperat, dhjetëra mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 24 predha antitank, 1 arkë me lëndë eksplozive tritol, 100 granata të ndryshme, 6 kilogramë lëndë ekspoloziv C4, 7 armë zjarri pistoletë të modeleve të ndryshme, 53 pushkë model 10 dhe pjesë për riparimin dhe modifikimin e armëve të zjarrit.

Në kuadër të këtij operacioni, më 3 mars është regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupit të strukturuar kriminal”, në ngarkim të personave nën hetim Gj.Cukali, E. Jamaku dhe E. Jamaku.

Gjatë atij operacioni u arrestuan Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla dhe Akil Kulla, të cilët ndodhen të gjithë në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë