Shendet

Zbulohet në Indi ‘Gripi i domates’ që prek fëmijët

Ndërsa bota vazhdon të luftojë kundër lisë së majmunit dhe Covid-19, një virus tjetër është zbuluar së fundmi në Indi i quajtur “Gripi i domates”.

Sipas raportimeve, 26 fëmijë të moshës deri në 10 vjeç mund të kenë ‘gripin e domates’, ndërsa deri më tani janë infektuar 82 fëmijë nën moshën pesë vjeç që kur virusi u raportua për herë të parë më 6 maj.

Të infektuarit me ‘gripin e domates’ ankohen për simptoma si flluska të kuqe në lëkurë, dhimbje kyçesh dhe ethe.

Sipas një studimi nga “The Lancet”, infeksioni viral është i rrallë dhe është në gjendje endemike. Aktualisht nuk kërcënon jetën, por kërkohet një menaxhim vigjilent për ta mbajtur atë larg.

Sipas studimit, sëmundja infektive që prek kryesisht fëmijët e moshës një deri në pesë vjeç dhe të rriturit me imunitet të dobët mund të jetë gjithashtu një variant i ri i sëmundjes së duarve, këmbëve dhe gojës.

Çfarë është gripi i domates?

Gripi i domates u identifikua për herë të parë në rrethin Kollam të Keralas më 6 maj 2022. Studimi tha se virusi shfaq simptoma të ngjashme me ato të Covid-19, por virusi nuk lidhet me SARS-CoV-2.

Gripi u emërua në bazë të shpërthimit të flluskave të kuqe dhe të dhimbshme në të gjithë trupin, të cilat gradualisht zmadhohen në madhësinë e një domateje.

Cilat janë simptomat?

Simptomat kryesore të vërejtura tek fëmijët përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje dhe dhimbje të forta në kyçe. Disa nga simptomat si dhimbjet e trupit, ethet dhe lodhja janë të ngjashme me ato që përjetojnë pacientët me Covid-19. Simptoma të tjera përfshijnë ënjtje të kyçeve, të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë.

Pacientët që shfaqin simptomat e listuara duhet t'i nënshtrohen testeve molekulare dhe serologjike për diagnostikim.

Trajtimi

Trajtimi për gripin e domates është i ngjashëm me trajtimin e sëmundjes së duarve, këmbëve dhe gojës (SDKG). Pacientët këshillohen të izolohen, të pushojnë, të marrin shumë lëngje dhe një sfungjer me ujë të nxehtë për lehtësimin e acarimit dhe skuqjes.

“Këshillohet gjithashtu edhe përdorimi i paracetamolit për qetësimin e etheve dhe dhimbjeve të trupit”, thuhet në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë