Mjedis

Zbulimi gjigant për riciklimin, plastika mund të bëhet karburant

Kur Kenneth Poeppelmeier hapi kapakun e reaktorit në laboratorin e tij dhe pa materien e lëngshme brenda tij, u emocionua vërtet. "Të gjithë ne ishim aq të ngazëllyer," shtoi ai.
Poeppelmeier dhe kolegët e tij në Universitetin Veriperëndimor në Illinois, SHBA, kanë zhvilluar një teknikë kimike, e cila prish lidhjet kimike të polietilenit, plastikës që përdoret më shpesh për të bërë qeset dhe shumicën e sendeve të tjera që i gjejmë kudo.
Procesi i ri që “copëton” polimerin plastik, e shndërron atë në vaj të lëngshëm. Ekipi e publikoi këtë hulumtim në revistën ACS Central Science, duke treguar një teknikë të zgjuar për të shkatërruar polimerin.
“E rëndësishmja është që ky lëng ka edhe një përdorim me vlerë,” tha Poeppelmeier, i cili shtoi se ekipi i tij po e teston vajin nëse mund të përdoret për karburant.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që këto materiale kanë një vlerë,” shprehet ai.
Ky është një projekt premtues, por duhet thekuar se është ende në fazat fillestare. Sidoqoftë, ka një sërë projektesh që kërkojnë një qasje që të tërheqë investime për të trajtuar një vështirësi të madhe teknologjike dhe mjedisore: Si të kthejmë mbeturinat plastike në diçka të dobishme dhe të vlefshme.
Kimistët dhe industritë kimike në veçanti, garojnë me njëra-tjetrën për të gjetur mënyra se si mund të shpërbëjmë, ose të ripërdorim plastikën në mjedisin tonë. Ndërkohë, më shumë se një milion ton plastikë po lundron në tokë e oqeane. Lidhjet e forta molekulare të polimerive plastike që përdoren, zakonisht janë arsyeja themelore pse kjo betejë e madhe nuk qshtë fituar ende. Ato janë shtylla fizike e forcës dhe qëndrueshmërisë së plastikës, që do të thotë se janë gjithashtu arsyeja e jetëgjatësisë "famëkeqe" të saj.
Shndërrimi i plastikës në karburant apo materiale të tjera me vlerë, është diçka shumë premtuese për një lloj të ri biznesi. Quhet riciklim kimik dhe është i dallueshëm nga riciklimi i thjeshtë mekanik.

Nano-grimcat e platinit shkatërrojnë polietilenin, duke e shndërruar atë në kimikisht të lëngshëm

"Ne kemi nevojë për riciklimin e kimikateve si pjesë e mënyrës së trajtimit të mbeturinave dhe riciklimi kimik është vërtet premtues,” tha Michael Shaver nga Universiteti i Mançesterit.
Ka shumë ndërmarrje që përpiqen të zhvillojnë teknika që do të shpërbëjnë plastikën për të krijuar lëndë djegëse ose lëndë kimike, që mund të rikthehen përsëri në një fabrikë për të prodhuar një produkt tjetër.
Shaver shpjegon se pavarësisht se riciklimi kimik është premtues dhe i rëndësishëm, riciklimi mekanik që përdoret sot duhet të vazhdojë ende. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë