Ka ndodhur

Zbardhet vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier, identifikohen 4 autorët

Policia e Fierit ka zbardhur dhe dokumentuar me prova vrasjen e Shkëlzen Kastratit, më 1 shkurt të 2021-shit.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se autorët janë Albert Zaja, 37 vjeç dhe Elmir Tufa, 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë; Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, banues në Tiranë.

Për këta persona Gjykata e Fierit ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrolleve në banesat e autorëve, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Gjithashtu, policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë