Lajme

Zbardhet pasuria e plotë e Arta Markut

Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku është një hap larg konfirmimit në detyrë, si pjesë e drejtësisë së re. Zonja Marku, e cila në fund të vitit të kaluar u kthyer në ‘mollë sherri’ mes mazhorancës dhe opozitës, do të dalë para komisionit të Vetingut në datën 3 korrik, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit të saj, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

Trupa gjykuese që po shqyrton dokumentacionin e zonjës Marku përbëhet nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Arsyet se pse kryeprokurorja e përkohshme pritet të konfirmohet në detyrë janë dy. Së pari, për zonjën Marku, para se të votohej nga Parlamenti në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, zyrat e Tatimeve dhe Hipotekave kanë informuar Kuvendin për veprimtarinë se kryeprokurores.

Nga shqyrtimi i dosjes, zonja Marku ka rezultuar e rregull në raport me ligjin. Së dyti, nga verifikimi i deklaratave të pasurisë, zonja Marku rezulton me një pasuri modeste. Shqiptarja.com publikon pasurinë e plotë të deklaruar nga zonja Marku pranë ILDKPKI që nga viti 2004. Sa i takon pasurive të paluajtshme, kryeprokurorja posedon 1/3 e një shtëpie banimi me sipërfaqe 55 m2, ku siç duket është banesa e prindërve.

Në vitin 2007, kryeprokurorja, së bashku me bashkëshortin, deklarojnë blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2, me vlerë 5 000 000. Apartamenti është blerë me anë të një kredie dhe nga kursimet. Ndërkaq, në vitin 2015, bashkëshorti i zonjës Marku deklaron 25 % të një apartamenti me sipërfaqe 60 m2, fituar nga privatizimi i banesës shtetërore.

Sa i takon të ardhurave, kryeprokurorja deklaron vetëm pagën e saj si prokurore ndër vite dhe pagën e bashkëshortit nga pozicioni oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Nga viti 2011, kryeprokurorja deklaron edhe të ardhura si pedagoge e jashtme në Universitetin “Gjon Buzuku”, Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë