Politike

Zbardhet drafti i PD, lista e zyrtarëve nën Vetting dhe si shkarkohen

Të gjithë zyrtarët që nga kryeministri, ministrat, deputetët dhe zyrtarët që zgjidhen nga Parlamenti do ti nënshtrohen procesit të Vettingu. Ky është thelbi i nismës së PD-së së depozituar në Kuvend, nga deputetët e PD-së, të LSI-së dhe të partive aleate.

Ndërkohë që nisma, e ngjashme me procesin e Vettingut të gjyqtarëve parashikon efekte prapravepruese, pra largim të të gjithë persona që kanë lidhje me krimin. “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në këtë propozim.

“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”, thuhet në propozimin e nismës së PD-së, që parashikon ndërhyrjen në Kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas draftit parashikohet që të zgjedhurit duhet të dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

“Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në amendamentin që propozohet të ndërhyhet në nenin 176 të Kushtetutës.

Ndërsa në pikën 4 të këtij propozimi përcaktohet se nëse politikani, zyrtari nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo përpiqet të bëjë deklarime të pasaktë, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Pasuria
Një pikë e veçantë është edhe ajo verifikimit të pasurisë së zyrtarëve, ministrave, deputetëve. Ajo që përcaktohet është se nëse rezultojnë se pasuria e tyre ka probleme, atëherë ata do të shkarkohen menjëherë, duke iu ndërprerë mandati.

“Kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra. Kushtet, rregullat dhe organet përgjegjëse për zbatimin e mekanizimit të garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik, përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në amendamentin e propozuar.

Nisma nuk ka të përcaktuar rrugët se si cili institucion apo kush do të jetë mekanzimi i kontrollit dhe se kujt do t’i besohet ky kontroll. Por i lihet Kuvendit që të përcaktojë modalitetet e kryerjes së këtij kontrolli

AMENDAMENTET E PD

Neni 1

Fjalia e parë, e pikës 3 të nenit 45, ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”

Neni 2

Pas nenit 176 të Kushtetutës, shtohet “Pjesa e Gjashtëmbëdhjetë/1”, me këtë përmbajtje:
“PJESA E GJASHTËMBËDHJETË/1
MEKANIZIMI I GARANTIMIT TË INTEGRITETIT TË FIGURËS SË FUNKSIONARIT PUBLIK

Neni 176/1
Qëllimi i kontrollit të figurës

  1. Kontrolli i figurës, ngrihet me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
  2. Kontrolli i figurës do të kryhet mbi bazën e parimeve të procesit të rregullt, si dhe duke respektuar të drejtat themelore të individit.

Neni 176/2
Subjektet dhe rregullat e kontrollit të figurës

  1. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës.
  2. Subjektet e parashikuara në pikën 1, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal.
  3. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
  4. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1, nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo përpiqet të bëjë deklarime të pasaktë, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
  5. Kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra.
  6. Kushtet, rregullat dhe organet përgjegjëse për zbatimin e mekanizimit të garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik, përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”

Neni 3

Pas nenit 179/b, shtohet neni 179/c me këtë përmbajtje:

“Neni 179/c

  1. Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
  2. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi, në përputhje me procedurën e nenit 81, pika 2, të Kushtetutës, miraton ligjin që përcakton kushtet dhe rregullat për garantimin e integritetit të figurës së funksionarit publik.”.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë