Rend dhe Ligj

Zbardhen 15 vjedhje bankash, argjendarish e karburantesh, në pranga autori nga Fushë-Kruja

Policia ka mundur të zbardhë 15 vjedhje bankash, argjendarish, karburantesh apo Exchange si dhe të vendosë në pranga autorin.

Bëhet fjalë për një 31-vjeçar me emrin Andi Rexhepi nga Fushë-Kruja, i cili prej vitit 2018 ka bërë një seri vjedhjesh, duke filluar nga një bankë në Kashar deri te tentativa për vjedhjen e filialit të një banke në Shkozet.

Siç njofton policia, 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kavajë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, më 15 maj i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si autor i dyshuar për disa vjedhje të filialeve të bankave në nivelit të dytë dhe bankomatëve (ATM).

Policia thotë se nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se ky shtetas është autori kryesor i dyshuar për disa vjedhje me dhunë, armë e eksploziv në Qarkun e Tiranës, konkretisht:

I vjedhjes me armë zjarri të një sasie vlere monetare në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 02.03.2018, rreth orës 03:50, në fshatin Kashar, Tiranë;

I tentativës për vjedhje me thyerje të filialit të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 27.12.2018, rreth orës 04:20, në rrugën “Dritan Hoxha”, lagjja Laprakë, Tiranë;

I tentativës për vjedhje me eksploziv të vlerave monetare në bankomatin (ATM) e filialit të një banke të nivelit të dytë në Bulevardin Blu, Bashkia Kamzë, Tiranë;

I vjedhjes me eksploziv të një shume parash në një bankomat të filialit të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 17.01.2019, rreth orës 04:30, në rrugën “Rinia”, Bashkia Vorë, Tiranë.

I vjedhjes me eksploziv të një sasie vlerash monetare në një bankomat të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur më datë 26.08.2019, rreth orës 03:22, në lagjjen nr. 5 të qytetit të Kavajës.

Gjithashtu, po nga puna hetimore u bë e mundur zbardhja edhe e një sërë ngjarjeve të tjera të ndodhura më parë në qarqet Tiranë, Durrës e Berat, si vjedhje me dhunë, armë e eksploziv të bizneseve, bankomatëve dhe argjendarive, konkretisht:

Vjedhja e një shume parash në një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, ndodhur më 05.11.2018;

Vjedhja e një sasie parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në Ura Vajgurore, Berat, më 04.01.2019;

Tentativa për vjedhje të ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë në Shijak, Durrës, ngjarje e ndodhur më 27.12.2018;

Vjedhja e një shume parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë në Shijak, Durrës, ndodhur më 14.02.2019;

Vjedhja e një shume parash në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, ndodhur më 09.06.2019, në lagjjen nr. 14, Durrës;

Tentativa për vjedhje në një ATM (bankomat) të një banke të nivelit të dytë, ndodhur më 09.06.2019 në lagjen nr. 13, Durrës;

Tentativa për vjedhje në një dyqan të këmbimit valutor Exchange, ndodhur në Durrës, më 31.07.2019;

Vjedhja e së një sasi bizhuterish në një argjendari në një qendër tregtare, ndodhur më 01.01.2019;

Tentativa për vjedhje të parave në një ATM (bankomat) të një filiali të një banke të nivelit të dytë, në Shkozet, Durrës, ndodhur më 17.01.2019;

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajta pa leje a armëve dhe municioneve luftarake”.

Më Shumë