Shendet

“Zantac dhe ilaçet me ranitidinë të hiqen urgjent nga tregu”

Ekspertët e shëndetit në SHBA, kanë urdhëruar që medikamenti Zantac dhe gjenerikët e tjerë të ranitidinës të tërhiqen menjëherë nga tregu duke qenë se janë një rrezik i madh për shëndetin publik.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave(FDA) muaj më parë kishte gjetur nivele të larta të një kimikati të mundshme që shkakton kancer. Këto ishin përfundimet e studimit që nisi që nga viti i kaluar.  

Të mërkurën, FDA tha se nivelet e lëndës kancerogjene  në disa produkte me përmbajtje ranitidine rriten me kalimin e kohës, madje edhe në kushte normale të ruajtjes dhe se u zbulua  që më së shumti zhvillohen kur ambienti është në temperatura të larta.

Agjencia tha që të gjitha produktet me përmbajtje ranitidine me recetë dhe pa recetë, duhet të tërhiqen nga raftet e farmacive dhe që konsumatorët të ndalojnë marrjen e medikamenteve menjëherë, duke përdorur alternativa të tjera, pas konsultimit me mjekët.

“Në këto momente nuk kemi parë nivele të mëdha të substancës në shumë prej mostrave që kemi testuar. Sidoqoftë ne nuk e dimë se si ose sa kohë produkti mund të jetë ruajtur dhe vendosëm që ai të tërhiqet nga tregu dhe pacientët të sigurohen për cilësinë e medikamenteve,” tha Janet Woodcock, drejtoresha e Qendrës së FDA për Vlerësimin dhe Hulumtimin e Barnave.

Ranitidina u zhvillua për herë të parë nën emrin e markës Zantac nga prodhuesi i medikamenteve britanike GlaxoSmithKline PLC në vitet 1980, megjithëse më vonë ajo shiti të drejtat e markës amerikane në Sanofi.

Ndërkohë që në SHBA medikamentet që përmbajnë ranitidinë do tërhiqen menjëherë nga tregu, në Europë, Agjencia Europiane e Medikamenteve po kryen më shumë studime që të vërtetojë dëmin që përmban ky medikament.

Disa studime të kryera tek kafshët kanë treguar se N-nitrosodimethylamine (NDMA) është një substancë kancerogjene dhe ranitidina përmban sasi të mëdha të kësaj lënde. 

Ilaçet me përmbajtje të ranitidinës përdoren gjerësisht për të zvogëluar prodhimin e acidit në stomak te pacientët me ulçer. Ato  mund të merren me recetë ose pa recetë siç janë medikamentet e quajtura Ranital, Ranitidinë dhe Zantac. Ekspertët thonë se ky medikament mund të zëvendësohet lehtësisht me medikamente të tjera alternative, por çdo kush duhet të flasë me mjekun fillimisht.

Ranitidina i përket një klase të ilaçeve të njohura si bllokues H2 (histsamine-2), të cilat funksionojnë duke bllokuar receptorët e histaminës në stomak dhe duke zvogëluar prodhimin e acidit. Ilaçet që përmbajnë ranitidinë janë të autorizuara nga autoritetet kombëtare dhe janë në dispozicion si tableta dhe formulime injeksionale./The Wall Street Journal/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë