Shendet

E lirë, e thjeshtë. Në SHBA testohet vaksinë e re kundër Covid-19

Ndërkohë që numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur sot në mbi një milion, nga SHBA kanë ardhur sinjale pozitive se studiuesit mund të kenë gjetur një vaksinë për të shuar epideminë.

Në Universitetin e Pittsburgut është duke u studiuar një vaksinë që vendoset mbi lëkurë, e cila tashmë ka kaluar testet e para mbi minjtë, te cilët pas vaksinimit prodhuan antitrupa specifikë kundër koronavirusit. Brenda një muaji vaksina mund të hyjë në fazën e pare të eksperimentimit mbi njerëzit.

Studiuesit thonë se vaksinaa do jetë e lirë, e thjeshtë dhe mund të prodhohet shpejt në një shkallë të madhe.

“Minjtë e vaksinuar po prodhojnë antitrupa specifikë kundër virusit”, deklaron kërkuesi italian në Universitetin në Pittsburg, Andrea Gambotto, i cili ka publikuar rezultatet e testimeve të para në revistën EBiomedicine.

Andrea Gambotto

“Tashmë jemi duke verifikuar aftësinë që ajo ka të neutralizojë virusin në qeliza njerëzore duke përdorur anitrupat e marra nga minjtë e vaksinuar”, shjegon ai.

E quajtur ‘PittCoVacc’ vaksina ka madhësinë e një maje gishti dhe që vendoset mbi poret e lëkurës, ka 400 mikro gjilpëra që nuk hyjnë thellë në lëkurë dhe që në 2-3 minuta shkrihen, pa dhimbje dhe pa gjakderdhje, duke lëshuar një proteinë të veçantë të quajtur ‘spike’ dhe gjeneron antitrupa të mjaftueshëm për të luftuar koronavirusin brenda tri javësh. (Proteina "spike" është një lloj çelësi që virusi përdor për të hyrë në qeliza dhe nëse bllokohet ky çelës mund të ndalohet virusi).

Zgjedhja e këtij sistemi vaksinimi ka të bëjë me faktin se lëkura është pengesa e parë e trupit tonë kundër viruseve dhe baktereve dhe për këtë arsye edhe ruhet mirë nga sistemi imunitar.

Prodhimi i vaksinës po i nënshtrohet  hulumtimit ekzaminues të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave dhe nëse studiuesit  marrin autorizimin prej saj, brenda një muaji do ta testojnë te njerëzit, duke shmangur testet mbi majmunët pasi edhe vaksina të tjera i kanë shmangur testet mbi këto kafshë.

Shpresa e shkencëtarëve është që të kryejnë fazën e parë të eksperimentimit në një kohë shumë të shkurtër, brenda 6-8 javësh ata mund të kenë indikacionet e para mbi efektivitetin e saj.

Sipas shkencëtarëve kur bëhet fjalë për një vaksinë të këtij lloji, disa vullnetarë janë të mjaftueshëm për të parë nëse ka një përgjigje imune, por edhe një mostër gjaku është e mjaftueshme dhe se brenda pesë muajve mund të fillojë prodhimi i saj në masë të gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë