Sociale

Serbia do ta prodhojë vetë ilaçin e malaries për të luftuar Covid-19

Serbia do të nisë ditët e ardhshme prodhimin e klorikinës, ilaçit kundër malaries, i cili ka rezultuar deri më tani i suksesshëm për trajtimin e  koronavirusit.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi se Beogradi nuk mund ta përballonte epideminë pa pasur një kurë efektive kundër koronavirusit.  Shumë spitale në Serbi kanë raportuar mungesë maskash dhe ventilatorësh. Që atëherë qeveria ka blerë pajisje dhe ka marrë një sërë ndihmash nga Kina dhe Bashkimi Europian.

Vuçic deklaroi se kishte komunikuar përmes telefonit me Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe i kërkoi që të ndihmojë Serbinë të blejë përbërisit e nevojshëm për të prodhuar klorikinën. Prodhuesi më i madh i këtij medikamenti është kompania franceze Sanofi.

Spitalet në mbarë Europën po përdorin në fakt hidroksilkolinën, një version më pak toksik i një klorokinës, e cila është zbuluar që nga vitet ’40 dhe mund të prodhohet gjerësisht në të gjithë kontinentin.  

Tableta hidroksilklorine

E shoqëruar me antibiotikë, klorikina është tani për tani, kura më e mirë për pacientët që ndodhen në gjendje të rënduar për shkak të koronavirusit.

“Kompania farmaceutike serbe Galenika do të fillojë prodhimin e klorokinës, e cila do të përdoret si trajtim eksperimental kundër koronavirusit, siç rekomandohet nga autoritetet shëndetësore kineze dhe italiane”, tha presidenti serb. "Unë i kam dërguar po ashtu një letër Presidentit brazilian Jair Bolsonaro duke i kërkuar atij furnizimin e 150 kg lëndë të parë për prodhimin e klorikinës nga Galenika, në mënyrë që të mund të fillojmë përdorimin e saj sa më parë në spitalet tonë," tha Vuçiç .

Presidenti serb njoftoi se ka marrë tanimë një përgjigje pozitive nga Brazili dhe Galenika mund të fillojë prodhimin e klorikinës brenda dhjetë ditësh pas marrjes së dërgesave të para, tha Vuçiç. “Serbia aktualisht po importon lënde të para për prodhimin e klorikinës nga shumë vende”, shtoi ai.

Klorikina është rekomanduar me këmbëngulje nga presidenti amerikan Donald Trump dhe po përdoret si trajtim eksperimental në të gjithë Europën, megjithëse janë vërejtur implikacione për njerëzit me sëmundje të zemrës ose diabeti.

 Studimet laboratorike kanë sugjeruar që ilaçi mund ta ndalojë Covid-19.

Ekspertë të fushës i thanë Gazetës Si se nëse importohen lëndët bazë, ky medikament mund të prodhohet edhe nga kompanitë shqiptare, pasi ka një kosto shumë të lirë.

Vendimi i Serbisë për prodhimin e saj vjen pasi Italia ka autorizuar tanimë për përdorim të gjerë ilaçet me bazë klorikinën dhe hidroksilokinën.

Serbia ka raportuar deri më tani 1,171 të infektuar dhe 31 viktima. Autoritetet serbe prezantuan një sërë masash për të luftuar sëmundjen, duke përfshirë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Serbia ka marrë po ashtu mjekë dhe ekspertë rusë për ta ndihmuar të luftojë shpërthimin e koronavirusit dhe të ndërmarrë një përpjekje të madhe për dezinfektimin e të gjitha  ambienteve publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë