Shendet

Skandali/ Farmacistët shesin ilaçin kancerogjen, por në faturë vënë emër tjetër

Veliu punon çdo ditë me taksinë e tij në Tiranë. Në afërsi të qendrës e mora për të nisur edhe një tjetër verifikim për ilaçin “Ranitidinë” në farmacistë e kryeqytetit, por edhe jashtë tij.

55 vjeçari në timon më pa i habitur kur i thashë  se dua të shkoj disa farmaci në periferi të Tiranës.

“Mos ndoshta merresh me këto ilaçet ti moj vajzë,” më tha dhe fytyra e tij ishte më kurioze se kurrë.

“Po” i thashë, shpesh herë merrem edhe me ilaçet. Një moment kur makina ndalon në semafor me vrull me tha: “Kam dëgjuar dje për Ranitidinën që ishte e dëmshme, a është e vërtetë?”

Ranitidina e blerë në një nga farmacitë në zonën e Tufinës, ndërkohë kuponi tatimor mban emrin e një ilaçi tjetër. Gazeta "Si"

“Po” i’u përgjigja, ndërkohë që me sy kërkoja për farmaci rrugës.

“Ranitidina ka dalë në të gjithë botën me përmbajtje të lëndëve kancerogjene, po në Shqipëri ende shitet,” i thashë. 

Në moment tek pasqyra e përparme e taksisë pashë një fytyrë të trishtuar, që nuk e fshehu edhe revoltën.

“Si ka mundësi që të ndodhë kjo, po unë Ranititdinë kam pirë me grushte për stomakun moj bijë”, më thotë Veliu.

Vazhduam rrugën. Ndaluam në një nga farmacitë në Sauk. Pyeta nëse e kishte ilaçin “qetësues” për stomakun. Farmacisti atje me shumë dashamirësi më dha një Ranital dhe më këshilloi që të pija dy tableta dhe deri në darkë dhe do të qetësohesha.

Blerë në një farmaci në zonën e Saukut, Gazeta "Si"

Ky ilaç vijon të shitet edhe pasi të enjten “Urdhri i Farmacistit” në një deklaratë për media njoftoi që medikamenti ishte i rrezikshëm për shëndetin dhe duhej tërhequr nga tregu. Edhe pse me vonese, njoftimi u përcoll nga mediet, por ky farmacist në Sauk nuk e ka ende këtë informacion. Gjithashtu, dy ditë më parë Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore ka deklaruar në faqet zyrtare në ueb dhe facebook, për rrezikshmërinë e këtij medikamenti, duke këshilluar edhe mjekët se duhet të tregojnë kujdes kur e rekomandojnë këtë ilaç tek pacientët. Por Agjencia e Barnave nuk beri asnjë deklaratë për heqjen e tij nga tregu.

Veliu më thotë në vijim të udhëtimit se “ne jetojmë shumë keq”, ndërsa qëndroj në disa farmaci të tjera në zonën e Saukut. Edhe atje  bleva Ranital pa asnjë problem dhe asnjë këshillë. Në një nga farmacitë madje shkon edhe vetë shoferi i taksisë, si një nga ata shumë shqiptarë që e përdor ilaçin. Zbriti dhe bleu një tabletë Ranital dhe më tregoi se farmacistja kishte një sërë kutish për të shitur. 55 vjeçari më tha se ky udhëtim i shërbeu që të bënte edhe një kontroll për veten e tij.

Ranital i blerë në zonën e Tufinës, Gazeta "Si"

Vazhduam rrugën më tej drejt zonave të tjera periferikë në Tiranë, por hasa edhe nga ata farmacistë që ishin të informuar për çka është bërë bujë dhe nuk më dhanë ilaçet.

“Që prej ditës së djeshme kur ka dalë lajmi në të gjitha mediet, ne i kemi hequr nga raftet Ranitidinën dhe Ranitalin. Edhe pse nuk na ka ardhur një vendim konkret nga autoritetet përkatëse nëse duhet t’i heqim apo jo, ne nuk ja japim pacientëve që e kërkojnë,” më tha një farmaciste në fillim të rrugës së Freskut.

Por ndërsa has farmacistë që nuk janë në dijeni të kësaj historie me ilaçin me përmbajtje kancerogjene, si edhe ata që nuk e shesin më pas asaj që kanë dëgjuar në media, çudia ndodh në Paskuqan. Në një farmaci në këtë zonë  bleva Ranitidinën tabletë 150 mg, po në kuponin tatimor shënohet emri i një medikamenti tjetër po me të njëjtin çmim. Kur e pyeta farmacisten se pse fatura mbante një emër tjetër më tha: “Ka ndodhur një gabim në kasë dhe më janë ndryshuar ilaçet”. E njëjta histori ndodhi po në një tjetër farmaci në Paskuqan dhe në një tjetër në zonën e Tufinës. Ble Ranitidinë dhe në kupon të shënohet emri i një ilaçi tjetër. Dhe në një rast të përsëritur nuk mund të jetë gabim në kasë dhe aq më shumë me medikamentin që është kryefjalë e këtyre orëve të fundit.

Gjatë kthimit në redaksi, Veliu, shoferi i taksisë më bën i shqetësuar edhe një pyetje të fundit.

Ranitidina e blerë në një nga farmacitë në zonën e Paskuqanit, ndërkohë kuponi tatimor mban emrin e një ilaçi tjetër. Gazeta "Si"

“Po mirë që këto janë kancerogjene dhe nuk duhen pire e morëm vesh, po tani çfarë të marr kur të kem dhimbje nga ulçera”.  

Nuk dija se çfarë përgjigje t’i jepja jo vetëm për këtë, por edhe për shumë pyetje që po bëhen këto ditë, pasi u mësua që ilaçi u bllokua në SHBA, Itali dhe Greqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë