Ka ndodhur

Zani Çaushi kërkon sërish lirim me kusht, por seanca shtyhet me 25 mars

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për Myrteza (Zani) Çaushin, i cili ka përsëritur kërkesën për t’u liruar me kusht me pretendimin se i ka kryer 2/3 e dënimit.

Sipas burimeve kjo seancë është shtyrë për shkak të mungesës së gjyqtares për arsye shëndetësore.

Seanca e sotme kishte si objektiv ndryshimin e llojit të sigurisë pas kërkesës së avokatit të tij.

Vetë Çaushi, pretendon se ka vuajtur periudhën e plotë të dënimit me burg, ndërsa Prokuroria e Korçës thotë se ai, ende nuk ka mbushur kuotën e 25 viteve të qëndrimit ne qeli. Ndërkohë që seanca e radhës do të mbahet më 25 mars.

Ish-kreu i bandës së Vlorës në trazirat e vitit ’97, ka kërkuar që të përllogariten vitet e burgut që ka kryer, pasi sipas avokatit të tij, nëse koha e qëndrimit atje përllogaritet e plotë, atij i lind e drejta të kërkojë liri me kusht.

Avokati i Zanit pretendon se klienti i tij ka kryer 31 vite burg dhe ndaj i lind e drejta për lirim me kusht.

Myrteza Çaushi, njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Çoles, u arrestua në shtator të vitit 1997 dhe pas një beteje të ashpër ligjore që zhvilloi me gjykatën, mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars 1999.

Pas një përplasje me armë, ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Çaushi u arrestua në nëntor të vitit 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qeli, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë