Treg

Zanatet më shumë mundësi punësimi, por …

Ke një zanat, ke më shumë mundësi të punësohesh. Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Sipas INSTAT, përqindja e punëkërkuesve të papunë me arsim të mesëm të përgjithshëm është më e lartë se përqindja për personat me arsim të mesëm profesional në të gjitha qarqet.

Në Shqipëri, punëkërkuesit e papunë që kanë mbaruar një shkollë të mesme të përgjithshme, janë sa dyfishi i atyre që kanë përfunduar një shkollë të mesme profesionale.

Kjo diferencë është e dukshme në Fier, Gjirokastër, Kukës, Lezhë, Tiranë dhe Vlorë.

Në Tiranë numërohen 4080 punëkërkues të papunë me arsim të mesëm të përgjithshëm dhe 1650 me arsim profesional. Por edhe këtu situata nuk është aq rozë.

Arsimi profesional qe një prej kuajve të betejës së Kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale të 2013-ës e kmbëngulja për forcimin e këtij arsimi dhe ndryshimin totalisht të sistemit duke e kthyer atë në sistem dual sipas modelit gjerman pasoi me nënshkrime kontratash për disa shkolla profesionale të vendit.

Por, pavarësisht të gjithë vëmendjes së dhënë nga qeveria për arsimin profesional, ai po përballet me një sërë vështirësish.

Dajna Sorensen, zv/ministre e Financave, ka pranuar pak ditë më parë se pavarësisht rritjes së numrit të ndjekjes së arsimit profesional përsëri ka vështirësi në gjetjen e tregut të punës. Sipas saj në këtë arsim, ka një dyndje të kërkesave për degën e hoteleri-turizmit.

“Sistemi arsimor përfshirë këtu edhe arsimin profesional, ende nuk i pajis të gjithë individët me të gjithë aftësitë që janë kaq të domosdoshme në tregun e punës dhe shumë më tepër mbetet për t'u bërë në lidhje me këtë. Ngritja e një sistemi cilësor të aftësive, i cili është i orientuar drejt nevojave të tregut është një domosdoshmëri, jo vetëm për uljen e papunësisë”, është shprehur zv/ministrja.

Sipas saj, nga 5612 nxënës që janë regjistruar në arsimin profesional 1149 këtë vit janë për hoteleri-turizëm, 784 për janë për shërbimet e mjeteve të transportit.

Sipas të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, vetëm 4.9 % e punëkërkuesve të papunë të trajnuar gjatë 2017-ës në kurset e profesioneve, kanë arritur të punësohen.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë