Art dhe Kulture

Zamira Kita: Koko Fest nuk i dorëzohet pandemisë

Maska, nga ato prej grimi apo imagjinare për rolet që interpretojnë aktorët dhe të tjera, nga ato kirurgjikale e deri prej cohe tekstili, në gojët dhe hundët e publikut.E tillë pritet të jetë atmosfera në edicionin e shtatë të festivalit mbarëkombëtar të Komedisë “Koko Fest”, në Korçë, që këtë vit do t’i ngrejë dhe ulë perdet e shfaqjeve jashtë mjediseve të mbyllura të teatrit “Andon Zako Çajupi”.

“Nuk donim të humbitnim vijimësinë”, rrëfen Zamira Kita, drejtore e teatrit të Korçës dhe njëherësh organizatore e ngjarjes artistike që u ka dhuruar prej vitesh të qeshura,  publikut vendas dhe vizitorëve duke u shndërruar tashmë në një traditë dhe stacion kulturor, çdo fillim vjeshte.

“Teatri është një nga instrumentet më shprehës dhe të dobishëm për edukimin e një kombi dhe barometri që shënjon madhështinë ose rënien e tij. Një teatër i ndjeshëm dhe i orientuar mirë në të gjithë zhanret e tij, prej tragjedisë e deri tek estrada, mund të ndryshojë në pak vite ndjeshmërinë e një populli; dhe një teatër i shkatërruar, ku thundrat zënë vendin e flatrave, mund të vulgarizojë një komb të tërë”,  thotë Kita, duke citur poetin dhe dramaturgun spanjoll Garcia Lorca, ndërsa pandemia Covid-19 hodhi tis pasigurie dhe pikëpyetjesh për ardhmërinë e artit e në veçanti të teatrit, ndërsa grumbullimet vijojnë të jenë të ndaluara.

"Një teatër i shkatërruar, ku thundrat zënë vendin e flatrave, mund të vulgarizojë një komb të tërë"- Garcia Lorca

“I kemi marrë të gjitha masat e distancimit social dhe kemi në dispozicion policinë bashkiake dhe të rendit ”, pohon Kita, ndërsa zbulon se këtë vit si skena për shfaqjet do të shërbejnë mjediset e hapura dhe publiku i reduktuar.   Teatri i Korçës e sfidoi edhe më herët pandeminë, duke sjellë premierën e “Pas Vdekjes”, gjatë korrikut, ndërsa publikut iu ofruan maska falas,  nga stafi organizator.

Komedia "Pas Vdekjes", e Çajupit, vënë në skenë, në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit, korrik 2020.

“Duke qenë se do të kemi publik më të paktë në numër, veprat në konkurrim do të shfaqen në disa ditë radhazi”, thotë drejtoresha e teatrit “Andon Zako Çajupi”.Do të jetë pikërisht trupa e teatrit të Korçës që do të hapë ditën e parë të këtij festivali, me veprën “Pas Vdekjes”, të Çajupit, ndërsa institucioni kremton vitin e shtatëdhjetë të themelimit.

I themeluar në vitet e vështira pas luftës, më 1950, shfaqja e parë që i dha jetë teatrit të Korçës konsiderohet drama “Përmbysja” me regji të Sokrat Miosë, ndërsa ishin 10 aktorët e parë që ngritën dhe krijuan repertorin, ndër ta Dhimitër Trajçe i konsideruar edhe si babai i teatrit të qytetit dhe artisti i “merituar” Vani Trako.

Zamira Kita, drejtore e Teatrit "Andon Zako Çajupi', Korçë.

Nga data 6 e shtatorit e deri më 11, Korça do të jetë në një javë feste, synon Kita.Nga Muzeu Kombëtar i Arsimit, në oborrin e të cilit do të shfaqet vepra “Pas Vdekjes” tek Muzeu Arkeologjik, Parku dhe Hani i Pazarit, publiku do të mund të ndjekë shfaqjet e trupave nga mbarë Shqipëria dhe përtej kufijve që do të jenë në konkurrim në këtë edicion të shtatë.

Publik në shfaqjen "Shtëpia e Bernarda Albës", tek Hani i Pazarit, Korçë.

Teatri  “Migjeni” i  Shkodrës, paraqitet me “Zona e Pritjes” , me regji të Fatos Berishës. Teatri“Aleksandër Moisiu” , Durrës,  me monodramën “Shilri Valentina”, një bashkëpunim i regjisores Driada Dervishi –e  pamunguar në edicionet e “Koko Fest” –dhe  aktores së Teatrit Kombëtar, Olta Daku. Teatri “Metropol”, sjell “Sot, 8 ditë”, me regji të Elona Hysenit dhe një shfaqje private “Nuk dëgjoj, nuk shoh, nuk flas”, me regji të Denard Hasanit sjell aktorët Romir Zalla, Ervin Bejleri dhe Alert Çeloaliaj.

Trojet shqipfolëse do të prezantohen me një trupë nga Akademia e Arteve të  Tetovës, e cila sjell veprën “Tregimi Zoologjik”, me regji të Gent Çajanit.“Dëshironim të kishim edhe trupat e teatrove të Prizrenit dhe të Prishtinës, por për fat të keq nuk mund të përshtateshin në mjedise të hapura”, thotë Kita, duke shtuar se për të njëjtën arsye nuk mundi të merrte pjesë as Teatri Kombëtar.

Nëse në edicione të mëhershme, siç tregon drejtoresha Kita, trupat pjesëmarrëse vinin me mbi 20 aktorë dhe staf, këtë vit janë të reduktuar në tre deri katër persona. Kjo është një nga pasojat e masave anti-Covid, por që nuk i ka stepur e as ndalur organizatorët korçarë për të sjellë artin tek publiku.

"Në këtë çast dramatik të botës, artisti duhet të ngashërejë dhe të qeshë me popullin e tij"- Garcia Lorca

“Do të ketë gjatë kësaj jave shfaqje me kukulla në lëndinat e parkut”,  zbulon Kita ndërsa thotë se edhe të rriturit që duan të shijojnë shfaqjet, mund t’i kundrojnë edhe së largu ndërsa aktorët do të luajnë në mjedise të hapura.

Juria këtë edicion,  vijon Kita, përbëhet nga emra të mëdhenj të teatrit shqiptar si Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Albert Minga, Yllka Mujo e Rajmonda – të  cilat  dy vjet më parë u ngjitën  në skenën e “Çajupit” me shfaqjen “8 Femra”, të Driada Dervishit.Për aktorin dhe regjisorin e njohur Mevlan Shanaj, Kita rrëfen se Korça ka rezervuar një surprizë në këtë edicion, pa zbuluar më tej hollësi.Të tjerë të ftuar do të jenë aktorë e regjisorë humori. “Por do të jenë pak. E shumta 20 të ftuar, ndërsa në edicionet e mëparshme kemi pasur mbi 70”, thotë ajo.

Mësonjëtorja" e Korçës, shndërruar në teatër gjatë pandemisë.

Përveç se ky edicion përkon me 70 vjetorin e teatrit “Çajupi” , ndërsa vepra e tij “Pas vdekjes” është shfaqur shtatë herë për publikun korçar e vjen për të tetën herë dhe shtatë vjetori i një festivali që synon të kthehet në traditë të gjatë të qytetit dhe të artit skenik, është edhe një hap  i parë i sfidës që arti i bën pandemisë që ngërtheu botën, me infektime, humbje jete dhe me frikë e pasiguri për formën që koronavirusi do t’i japë së ardhmes.

Siç thoshte Federico García Lorca, në një intervistë-në mes të viteve ’30 të shekullit të kaluar, po aq koherente në ditët e sotme-, në këtë çast dramatik të botës, artisti duhet të ngashërejë dhe të qeshë me popullin e tij. Duhet të heqë dorë nga tufa e zambakëve e të zhytet në baltë deri në brez për t’iu ndihur atyre që janë në  kërkim të  zambakëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë