Lajme

Kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori kalon Vettingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e sotme ka rikonfirmuar në detyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin. 

Deri më tani, ai është gjykatësi i dytë që kalon me sukses Vettingun.

Kryetari i Gjykatës së Lartë zotëronte një pasuri familjare me vlerë rreth 58.7 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ndër vite llogariteshin në 99.7 milionë lekë.

KPK u mor me disa çështje në lidhje me pasurinë marramendëse, që sipas tij është e trashëguar dhe falë punës si gjyqtar.

Sipas KPK, ai kishte shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, duke gënjyer për vlerën e pronave. Deklaratat e Zaganjorit për pasuritë ishin kontradiktore, pasi vlera e pronës së regjistruar në hipotekë, nuk korrespondonte me atë reale.

Por, kreu i Gjykatës së Lartë i hodhi poshtë pretendimet për pasaktësi në deklarimin e pasurisë, duke sqaruar se regjistrimi i Bibliotekës është bërë në 2001-shin, por fitimi i pronësisë së saj është bërë në 1997-ën.

Xhezair Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Europiane dhe të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Shkollën e Studimeve Europiane.

Në vitet 1992-1997, Zaganjori ka qenë ambasador në Gjermani. Ndërsa në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese në Heidelberg të Gjermanisë.

Në vitin 2003, Zaganjori është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e ka mbajtur për një dekadë. Në mars të vitit 2013 ai zgjidhet anëtar i Gjykatës së Lartë dhe një muaj më pas emërohet kryetar i kësaj gjykate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë