Politike

Zaev: Biznesmeni greko-rus kërkon destabilizimin e Maqedonisë

Përplasja Merkel-Trump në samitin e NATO-s në Bruksel zhvendosi gjithë vëmendjen nga kalendari i punimeve të takimit të udhëheqësve të vendeve anëtare të Aleancës, kalendar që kaloi në plan të dytë.

Një prej këtyre vendimeve “dytësore” që u morën ishte ai i dërgimit zyrtar të ftesës për Maqedoninë që t’i bashkohej Aleancës. Ftesa bllokohej deri më tani nga Greqia për çështjen e emrit. Por, marrëveshja e arritur dhe nënshkruar pak javë më parë në Prespë nga dy kryeministrat, Tsipras e Zaev hoqi këtë pengesë të Shkupit.

Ftesa është dorëzuar, por që anëtarësimit të formalizohet dhe të quhet i plotë, Maqedonia duhet që më parë të kalojë testin e referendumit popullor për çështjen e emrit. Referendumi pritet të zhvillohet në vjeshtë, ku qytetarët e Maqedonisë do të pyeten nëse janë dakort me emrin “Maqedonia Veriore”, siç është rënë dakort me palën greke.

Por, veç kundërshtarëve politikë brenda vendit, Zoran Zaev flet për kundërshtarë akoma më të rrezikshëm jashtë tij. Në një intervistë për “BuzzFeed Neës”, Kryeministri maqedonas tha se biznesmenë grekë të lidhur me Rusinë po përpiqen të destabilizojnë Maqedoninë në prag të referendumit.

“Kam raportime se biznesmenë grekë të afërt dhe të lidhur me Rusinë dhe kauzat ruse kanë paguar shuma nga 13 mijë deri në 21 mijë dollarë për shtetas të Maqedonisë që të ndërmarrin akte dhune para referendumit kyç që kemi këtë vit”, deklaroi ai.

Kryeministri maqedonas tha se kishte marrë këto informacione pas arrestimit dhe më pas dënimit të disa protestuesve që morën pjesë në tubimin e dhunshëm të mbështetur nga opozita para Parlamentit në muajin qershor. Për të siguruar mbarëvajtjen e referendumit, Zaev deklaron në intervistën e tij se i kishte kërkuar personalisht ndihmë Donald Trumpit.

Ivan Savidis zotëron edhe klubin e PAOK-ut në futbollin grek

Zaev nuk përmendi emra, por mediat ndërkombëtare thanë se bëhej fjalë për Ivan Savidis, një sipërmarrës me origjinë ruse i natyralizuar grek, pronar i grupit të fuqishëm “Dimera”. Përmes një deklarate të publikuar në emër të këtij grupi, Savidis mohon akuzat dhe kërcënon me padi për shpifje mediat që kanë përmendur emrin e tij.

“Biznesmeni Ivan Savidis nuk ka asnjë lidhje, asnjë pëërfshirje me protestat në Maqedoni. Në ditët në vijim do të dorëzojmë paditë për shpifje kundër mediave dhe autorëve të këtyre teksteve të dëformuara”, thuhet në deklaratë.

Referendumi shihet si thelbësor për Maqedoninë, jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Ky është kushti i vendosur nga Greqia dhe nëse marrëveshjes së arritur i thuhet jo, atëherë Zoran Zaev ka premtuar dorëheqjen nga Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë