Kombetarja

Ylber Ramadani me Covid-19, danezët nxjerrin zbuluar FSHF-në

A ishte Ylber Ramadani i infektuar me Covid-19 gjatë grumbullimit të Kombëtares? Shtypi danez, duke iu referuar një lajmi të konfirmuar nga klubi i mesfushorit, thotë po. Një nga drejtuesit e Vejles, menaxheri Jakob Kruger, është shprehur se Ramadani është infektuar kur ka shkuar në grumbullimin e Kombëtares së Shqipërisë.

Një lajm që e nxjerr blof FSHF-në. Para ndeshjes me Bjellorusinë u përhap lajmi se tre futbollistë të Kombëtares, konkretisht Ramadani, Ismajli dhe Memolla, kishin rezultuar pozitivë në testet e Covid-19, por FSHF-ja hodhi poshtë gjithçka, duke bërë me dije se ata do të mungonin për shkak dëmtimesh. Madje, publikoi edhe përgjigjet e testit për të tre këta futbollistë për të vërtetuar se kishin dalë negativë.

Pergjigja e testit të Covid-19 për Ylber Ramadanin, e publikuar nga FSHF-ja. Gazeta Si, 12 shtator 2020

Ky variant hidhet poshtë tani nga shtypi danez, që gjithashtu saktëson se Ylber Ramadani ka qëndruar i izoluar për një javë në Shqipëri. Ajo që mbetet ende e dyshimtë ka të bëjë me faktin, nëse edhe Ismajli dhe Memolla kanë qenë të infektuar, apo vetëm Ramadani. Para nisjes së Kombëtares për në Minsk, në faqen e FSHF-së u postua një njoftim për tre lojtarë të infektuar me Covid-19, por që u fshi menjëherë dhe u konsiderua një gabim. Asnjëri nga tre futbollistët e përmendur më sipër nuk u bashkua me Kombëtaren edhe për ndeshjen me Lituaninë, ku kuqezinjtë humbën 0-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë