Treg

Yield-et e bonove 1-vjeçare rriten lehtë në ankand

Nga Gazeta ‘Si’-Yield-et e bonove 12-mujore u rritën lehtë në ankandin e kësaj jave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore arriti nivelin 3.16%, nga 3.13% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Nga 7.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në ankand u paraqitën kërkesa totale në shumën e afro 8.7 miliardë lekëve. Ndërkohë, pro rata e kërkesave konkurruese ishte sërish e ulët, në nivelin 37.35%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, huamarrja në tregun e brendshëm të titujve të qeverisë u shtua me rreth 21 miliardë lekë në tremujorin e dytë, nga 12.7 miliardë lekë në tremujorin e parë. Megjithatë, ndryshe nga tremujorët e mëparshëm, shtesa e huamarrjes nuk u mbështet shumë tek individët, por kryesisht tek bankat tregtare.

Individët nuk shfaqën interes të shtuar për të investuar në tituj qeveritarë këtë tremujor, duke blerë vetëm 10% të shtesës së borxhit të brendshëm, nga 80% që rezultoi në tremujorin e parë. Rreth 83% e shtesës së huamarrjes në tremujorin e dytë u financua nga bankat tregtare.

Nga ana tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për financim në tremujorin e tretë po paraqitet më e kufizuar. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e përgjithshme e huamarrjes e planifikuar në tregun e brendshëm për tremujorin e tretë do të jetë 83 miliardë lekë, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e borxhit të maturuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë