Bota

Xi pret Lukashenkon në Kinë për herë të dytë brenda një viti. Rusia sulmon me dron në Krime

Gazeta Si - Presidentët e Kinës, Xi Jinping dhe Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, mbajtën një takim në Pekin, i dyti këtë vit pas vizitës së liderit bjellorus në Kinë në mars.

Lajmi është bërë i ditur nga transmetuesi shtetëror CCTV. Xi theksoi se Kina dhe Bjellorusia janë "partnerë strategjikë të gjithanshëm" që "mbështesin njëri-tjetrin dhe kundërshtojnë ndërhyrjen e jashtme" dhe shprehu mbështetjen për homologun e tij në mënyrë që Bjellorusia "të ndjekë një rrugë zhvillimi në përputhje me kushtet e saj kombëtare", raporton agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”.

Udhëheqësi i Pekinit siguroi se, pas vizitës së mëparshme të Lukashenkos në Kinë, "besimi i ndërsjellë politik midis dy vendeve është konsoliduar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është forcuar".

Sipas presidentit kinez, Kina dhe Bjellorusia janë “forca të rëndësishme të përfshira në reformën dhe ndërtimin e sistemit të qeverisjes globale”.

Nga ana e tij, Lukashenko shprehu dëshirën e tij për të "forcuar koordinimin dhe bashkëpunimin" me Kinën në çështjet ndërkombëtare dhe shumëpalëshe.

“Bjellorusia shpreson sinqerisht se Kina do të vazhdojë të zhvillohet dhe të bëhet më e fortë, gjë që do t'i shërbejë kauzës së paqes dhe përparimit në të gjithë botën”, tha Lukashenko, duke shtuar se vendi i tij është “i vendosur fort për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore” me Kinën".

Të dy presidentët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi konfliktin në Ukrainë, pa mediat shtetërore kineze të japë detaje të mëtejshme për këtë çështje.

Sipas agjencisë zyrtare bjelloruse “Belta”, vizita e Lukashenkos në Kinë, e cila përfundon sot, përfshin "çështje të tregtisë, ekonomisë, investimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar".

Ndërkohë, forcat ruse, lëshuan 23 dronë iranianë të tipit “Shahed” në Ukrainë nga Krimea gjatë orëve të para të ditës së sotme.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, “armiku sulmoi me 23 dronë sulmues Shahed-136/131 nga Kepi Chauda në Krimenë e pushtuar dhe me një raketë të drejtuar nga hapësira ajrore e rajonit të pushtuar Kherson”, thuhet në postim.

Sipas postimit, 18 dronë dhe raketa e drejtuar Kh-59 u shkatërruan nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Për të zmbrapsur sulmin u përdorën avionë luftarakë, njësi raketash kundërajrore dhe grupe të lëvizshme zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë