Ne rrjet

Xi Jinping rishkruan historinë e Kinës (për herë të tretë)

Filozofi Georg Hegel, ka thnë se historia përsëritet. Karl Marx shtoi se "historia paraqitet për herë të parë si një tragjedi, e dyta si një farsë".

Por presidenti kinez, Xi Jinping, ka vendosur të kapërcejë dy mendimtarët e mëdhenj gjermanë dhe të rishkruajë historinë për herë të tretë.

Detyra iu besua Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, të thirrur nga 8 deri më 11 nëntor. Delegatët do të duhet të "rishikojnë një rezolutë kryesore mbi arritjet e mëdha dhe përvojën historike të Partisë në njëqind vitet e saj", njoftoi agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Lëndë për "Pekinologët". Në të vërtetë, ekspertët kujtojnë se manovra zbulon ambicien e Xi-së për t'u ngritur në të njëjtin nivel prestigji historik, si Mao Zedong dhe Deng Xiaoping.

Në vitin 1945, Mao miratoi "Rezolutën për çështje të caktuara në historinë e Partisë sonë", duke i dhënë fund betejës ideologjike me shokët e Marshit të Gjatë në pushtet në favor të tij.

Në vitin 1981, Deng frymëzoi një "Rezolutë mbi Historinë e Partisë" së dytë, e cila kritikoi dhe kapërceu Revolucionin Kulturor, njohu shumë nga arritjet e Maos, por mbi të gjitha hapi Kinën drejt një ekonomie tregu.

Tani vjen "Rezoluta e Tretë Historike", ashtu siç Xi predikon nevojën (historike) për të "udhëhequr me vendosmëri" Kinën drejt kthesës së re që do të çojë në "prosperitet të përbashkët" për të gjithë kinezët deri në vitin 2035.

E thënë thjesht, programi i Xi-së, premton të promovojë barazinë socio-ekonomike dhe në këtë mënyrë të forcojë legjitimitetin dhe kontrollin e Partisë Komuniste.

Nuk do të jetë një detyrë e lehtë, sepse 600 milionë kinezë ende jetojnë me 1.000 juanë në muaj (rreth 130 euro). Rishpërndarja e të ardhurave nënkupton vënien e dorës në xhepat e atyre që fitojnë figura "të tepërta dhe ekstravagante" dhe vendosjen e rendit në një "kapitalizëm që rritet në kaos" (fjalët e Xi).

"Ne e kemi kuptuar mirë se varfëria nuk është socializëm, ne kemi lejuar që disa individë dhe rajone të Republikës Popullore të ecin përpara dhe të pasurohen, tani është koha për të arritur prosperitet të përbashkët për të gjithë".

Do të duhen vite. Dhe Xi pret të ketë shumë më tepër: vitin e ardhshëm Kongresi i Partisë do të thirret për t'i dhënë atij një shkëlqim tjetër si sekretar i përgjithshëm.

Kushtetuta u ndryshua në vitin 2019: afatet kohore të vendosura pas Mao, u hoqën për të shmangur tejkalimet e pushtetit absolut për jetën.

Duke urdhëruar "Rezolutën e Tretë Historike", Xi sigurohet që ai të jetë në anën fituese të historisë, të paktën në Pekin.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë