Politike

Xhixho: Eksportuesit dhe fasonët po detyrohen të largohen nga vendi për shkak të një qeverie të paaftë

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se, biznesi fason po bëhet viktima e fundit e krizës së çmimeve dhe rënies drastike të euros.

Në një deklaratë për mediet, Xhixho theksoi se, “eksportuesit dhe fasonët, dy sektorët më të injoruar e të pambështetur, sot po detyrohen të largohen nga vendi ynë për shkak të një qeverie të paaftë dhe të papërgjegjshme”.

Sipas saj, “vështirësitë ekstreme me të cilat këta sektorë po përballen prej muajsh po çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt largimit të këtyre bizneseve nga Shqipëria”.

Shkak sipas Xhixhos janë rënia drastike e euros dhe mbiçmimi artificial i lekut. Këto, theksoi ajo,rëndojnë prej më shumë se një viti mbi biznesin fason, i cili punëson 75 mijë njerëz në vend, shumica dërrmese gra dhe vajza.

Ajo theksoi se, “prej muajsh kemi kërkuar mbështetje dhe kompensim të humbjeve që vijnë për shkak të rënies së euros dhe rritjes së çmimeve, por qeveria është indiferente. Prej muajsh, zëri i eksportuesve dhe fasonëve është injoruar nga një qeveri që pastrimin e parave e ka kthyer në modelin e saj”.

“Ligji i ri për taksimin me 23% për profesionistët e lirë, mosfinancimi i arsimit, mungesa e mbështetjes për familjet e reja dhe bujaria në tenderë e koncesione me oligarkët tregon qartë se kjo qeveri mbështet vetëm klientët e saj”, tha nënkryetarja e Partisë së Lirisë.

Sipas saj, “është përgjegjësi direkte e kësaj qeverie të tërheqë biznesin fason nga buza e greminës, ku e ka dërguar vetë, në të kundërt kostot do t’i paguajnë direkt qytetarët, që do të humbasin vendet e punës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë