Dy dëshmitë e dhëna nga Xhisiela Maloku në televizionet Klan dhe Top Channel e kanë bindur edhe më fort Kryeministrin Edi Rama se në rastin e 25-vjeçares si policia, ashtu edhe prokuroria kanë bërë detyrën e tyre.
Por, ajo që nuk ka bërë detyrën në këtë mes, sipas shefit të qeverisë, është opozita, që siç thotë ai e përdori si “mish për top”.
Kryeministri, i cili ndodhej në Gjenevë për punimet e Forumit Ekonomik Botëror iu rikthye rastit të Xhisiela Malokut përmes rrjeteve sociale. Ai thotë se tashmë nuk është i vetëm në bindjen se 25-vjeç arja u përdor në këtë mes.
Për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen, Rama thotë se ka lindur nevoja për ndërhyrje ligjore dhe premton shumë shpejt një paketë që e quan antishpifjesh.
Më vjen mirë që s'jam më i vetmi që them se vajzën e morën peng dhe e kthyen në mish për topat e kazanit politik e mediatik!Më mirë vonë se kurrë.Ndërkohë duhet çmontuar me fakte pjesa tjetër e këtij horrori mendjesh e gojësh të përdala.Dhe shumë shpejt një paketë antishpifje👊
— Edi Rama (@ediramaal) October 2, 2018
Në fakt, shpifja parashikohet nga Kodi Penal i Shqipërisë. Neni 120 i këtij kodi thotë tekstualisht se “përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave, ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet të ndërhyet në Kodin Penal për shpifjen. Në vitin 2012, atëherë me propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha u lehtësuan ndëshkimet për shpifje, duke hequr burgun dhe duke lënë vetëm gjobën.
Por pyetja që ngrihet, a do të rikthehet burgu në paketën e re të Ramës dhe nëse po, sa?
Ajo që mbetet për t’u sqaruar ende është nëse është konsumuar kjo vepër penale në rastin e Xhisiela Malokut. Opozita dhe një pjesë e madhe e mediave, kur akuzonin Kryeministrin Edi Rama se po mbronte djalin e deputetit socialist, Rrahman Rraja i referoheshin dëshmisë së parë të vajzës të dhënë në komisariatin nr.3 në Tiranë.
Në këtë dëshmi e reja thotë se është dhunuar, gjakosur dhe i është refuzuar disa herë kallëzimi në polici ndaj Rexhep Rrajës. Por, të hënën 25-vjeç arja bëri prapakthehu dhe mohoi vetveten. Xhisiela tha në Open dhe Opinion se e gjithë dëshmia ishte e rreme dhe e nxitur nga xhelozia.
Ajo tha se e dinte shumë mirë se mund të akuzohej për dëshmi të rreme dhe të dënohej edhe me burg.
Por, për opozitën, ky ndryshim i qëndrimit të saj ishte pasojë e presionit dhe kërcënimeve të Rexhep Rrajës dhe familjarëve të tij. Nën këtë kërcënim, thotë PD, vajza pranoi të shqiptonte një deklaratë të diktuar nga dhunuesit e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.