Gazeta Si – Fitorja e bujshme në fushën e Barcelonës ka bërë që për skuadrën e Miçel të flasë e gjitha bota. Xhirona kryeson La Ligën me 41 pikë, 2 më shumë se Real Madrid, kurse katalanasit kanë rrëshqitur në -7.
Përralla e Xhironës vazhdon. Pastaj do të shihet si do të përfundojë, por ajo që po bën në këtë moment është vërtet e mrekullueshme. Fitorja 2-4 në derbin katalanas ndaj Barcelonës tregon shumë. Një fitore historike. E para në La Liga, e para në një ndeshje zyrtare që nga 1939 e Xhironës ndaj Barcelonës, ditën e 100 ndeshjeve në stol për trajnerin Miçel.

Ai po firmos një mrekulli sportive të dimensioneve të mëdha. Barcelona u turpërua përpara publikut të saj nga një skuadër pa frikë dhe komplekse, që mbrohet në bllok dhe niset shpejt në kundërsulm, e frymëzuar nga Siti i Guardiolës. Pere, vëllai i Pep, është administratori i deleguar dhe skuadra i përket ‘City Football Group’.
Xhirona kaloi në avantazh me një kundërsulm për manual ndaj Barcelonës: 3 prekje, Kouto, Tsigankov dhe goli i 8-të i Dovbik spektakolar. Mbrojtja katalanase e shpartalluar.
Por kjo skuadër e ka një pikë të dobët, që janë goditjet e këndit. Në një të tillë katalanasit barazuan me Levandovskin. Ishte goli i 5-të i pësuar nga goditja e këndit, më shumë se të gjithë në La Liga. Por asnjë problem psikologjik. Skuadra e Miçel vazhdoi të luante me topa të gjatë, kombinime të shpejta, duke bërë një ndeshje argëtuese.
Gutierrez mposhti Inaki Pena me një të majtë potente, Valeri shënoi golin e tretë, duke përfituar nga përgjumja e Kounde. Në shtesë Gundogan shkurtoi diferencën dhe Levandovski humbi një rast ideal, ndërsa Stuani nuk gaboi për t’i dhënë goditjen përfundimtare Barcelonës me golin e 4-t.
Askush nuk u kishte thënë lojtarëve të Xhironës se do të ishte e lehtë, por askush nuk e mendonte një ndeshje të tillë kampionati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.