Ne rrjet

Xhamajka mohon njohjen e Kosovës, Thaçi fajëson Çitakun

Ministrja e punëve të Jashtme të Xhamajkës ka mohuar mëngjesin e të premtes njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke shuar entuziazmin që mbërtheu mbrëmjen e djeshme Prishtinën.

Në një postim ne Twitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka falënderuar Xhamajkën, Kamina J Smith mohon raportet për njohjen.

“Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, ka shkruar ajo.

Lajmin për njohjen nga Xhamajka u dha nga presidenti Thaçi, i cili theksoi ndër të tjera se kjo arritje vjen edhe si pasojë e kontributit të madh të kongresmenit amerikan Eliot Engel.

“Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e shkëlqyer. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni”, shkroi Thaçi në Twitter.

Por presidenti Thaçi ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se përgjigje për këtë skandal duhet të japë Ministria e Jashtme e Kosovës, si dhe Ambasadorja Çitaku.

Zyra e presidentit ka thënë në një komunikatë për mediat në Prishtinë se lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka e kanë marrë nga Çitaku.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Pavarësinë e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk e ka njohur asnjë shtet, që prej vitit 2018.

Vlora Çitaku, Gazet Si, 2020

Pasi Xhamajka mohoi lajmin, edhe qeveria e Kosovës e ka drejtuar gishtin nga ambasadorja Vlora Citaku.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka reaguar ashpër, duke deklaruar se lajmin për njohjen nga Xhamajka  përmes një emaili nga ambasadorja Citaku.

Duke theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën e Kosovës në SHBA për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ai ka paralajmëruar se do të masa të ashpra ndaj diplomatëve.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, tha Konjufca. “Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadoreje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë”, shton ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se nëse lajmin e pavërtetë për njohjen e pavarësisë e ka dhënë Çitaku, ajo duhet të shkarkohet.

“Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta.Nëse vërtet lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Më Shumë