Futboll

Xhaka reagon ashpër: Dua t’i kem përballë ata që më sulmojnë familjen

Mesfushori shqiptar i Arsenalit dhe Zvicrës, Granit Xhaka, ka reaguar ndaj sulmeve që i janë bërë familjes së tij në rrjetet sociale. Ai është shprehur se dëshiron t’i ketë përballë këta persona dhe t’i shohë në sy.

Arsenali nuk po kalon një moment të mirë dhe tifozët shpesh kanë reaguar në rrjetet sociale me kritika. Në të tilla raste është më mirë që t’i anashkalosh këto kritika, por Granit Xhaka nuk është një tip i tillë. Ai nuk i lë gjërat të harrohen vetë, është një natyrë pak e ashpër. Dhe nuk është hera e parë që lojtari ka probleme me tifozët e “topçinjve”.

Granit Xhaka në një moment gjaknxehtësie. Gazeta Si, 24 shkurt 2021

Xhaka u vu në shënjestër të tifozëve të Arsenalit kur hoqi fanellën dhe e hodhi atë në tokë pas një ndërrimi në tetor të 2019-ës. Tani problemet kanë rinisur dhe siç bën me dije “Goal.com”, mesfushori thotë se ata që i sulmojnë familjen nuk janë tifozë të vërtetë, ndaj kërkon t’i takojë për të kuptuar pse e bëjnë. Ishte Arteta, që pas problemeve me Emeri, i cili i hoqi shiritin e kapitenit, e bindi të qëndronte në Londër, por kjo gjë nuk e përmirësoi raportin me tifozërinë.

Para ndeshjes me Benfikën në Ligën e Europës, Xhaka ka thënë: “Nëse do t’i tregoja familjes sime çfarë më shkruajnë, duhet t’i mbyll rrjetet sociale. E them sërish: ajo që ndodh në fushë ka lidhje vetëm me mua, jam unë ai që luaj. Jo bashkëshortja ime, djali im dhe familjarët e mi.

Nëse dikush do të më kritikojë, le ta bëjë, por të më kritikojë mua si person dhe si lojtar. Nuk ka pse të përfshihen persona të tjerë që nuk kanë të bëjnë me punën time. Do të doja t’i kisha përballë këta persona”. Të njëjtin temperament, ndoshta pak më të ashpër, ka edhe vëllai i Granitit, Taulant Xhaka, i cili luan për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë