Sport

Xhaka e Shaqiri kërkuan falje, atletja kroate bën shqiponjën

Për ata që nuk janë fort të apasionuar pas sporteve dhe disiplinave të veçanta të atletikës, Sandra Perkoviç është shpallur dy herë kampione e botës dhe dy herë kampione olimpike në hedhjen e diskut.

Por, më shumë se sa suksesi sportiv, në vendlindjen e saj ajo është vënë në qendër të vëmendjes këtë herë për një gjest që bëri në fund të garave kombëtare të atletikës kroate.

Atletja, pasi hodhi diskun në një distancë që i siguronte titullin kampion të vendit, u kthye nga telekamerat e televizionit publik kroat dhe bëri me duar një gjest familjar për shqiptarët, të njohur për kroatët, por të urryer për serbët.

Perkoviç bashkoi dy duart para gjoksit dhe formoi simbolin e shqiponjës dykrenare. Gjesti duket se ka habitur gazetarët e paktë në numër që po ndiqnin këto lojëra dhe njëri prej tyre e pyeti se cila ishte domethënia e gjestit?

“Do të thotë vetëm që disku fluturoi, ashtu si një shqiponjë”, u shpreh ajo pa u shqetësuar fort nga pyetja.

https://www.instagram.com/p/Bmfo7-QBF_R/?hl=en&taken-by=discus70queen

Ashtu siç pritej, buja më e madhe do të ndodhte në Serbi. Pjesa radikale e mediave serbe e kanë interpretuar si një provokim dhe e lidhin këtë me faktin që janë të njohura marrëdhëniet miqësore mes shqiptarëve dhe kroatëve. Një pjesë e tyre shkonin aq larg sa u bënin thirrje atletëve serbë, me një pjesë të të cilëve Sandra Perkoviç ka një miqësi të fortë, që ta bojkotojnë kolegen e tyre kroate si shenjë proteste ndaj gjestit në fjalë.

Simboli i shqiponjës u vendos në qendër të vëmendjes edhe të mediave ndërkombëtare gjatë botërorit rus. Ishte pikërisht ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë, kur shqiptarët helvetë, Xhaka e Shaqiri festuan me duart e kryqëzuara në formën e shqiponjës dykrenare dy golat e shënuar ndaj serbëve në fitoren 2-1.

Menjëherë më pas nisën ankesat e palës serbe, që gjestin e interpreton si gjest politik. Por, akuzat serbe dhe gjoba e vendosur nga FIFA për dy lojtarët me origjinë shqiptare nuk trembën të tjerët që të festonin në këtë formë. I tillë ishte edhe festimi i freskët i Shkodran Mustafit, që gëzoi pas shënimit të një goli për Arsenalin në këtë fillimsezoni të Premier Ligës.

Edhe ndaj tij mediat britanike raportuan nisjen e një hetimi nga federata angleze, hetim që u mbyll pa asnjë penalitet. Ndërkohë, në Zvicër, Xhaka e Shaqiri u kërkuan falje zviceranëve për gjestin e tyre në botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë