Politike

Xhafaj merr në mbrojtje Veliajn dhe i drejtohet opozitës: Po i bëni gjyqin popullor, 4 apo 10 drejtorë nuk janë bashkia e Tiranës   

Në emër të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi paralajmëroi votën kundër një projektligji të enjten që kishte synim financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”, një votë kjo që u komentua edhe nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj.

“Për ta përligjur votën kundër këtij financimi argumenti kryesor opozitar është një çështje penale e nisur nga SPAK që ka ngritur akuza për disa drejtorë të bashkisë. Nuk kam pasur njohje personale dhe as marrëdhënie pune me asnjë prej tre personave me masë arresti. Nuk e njoh dosjen përkatës dhe akuzat penale ndaj tyre.

Si qytetar nuk më pëlqen aspak ajo që mund të ketë ndodhur, por si jurist kam detyrimin të respektoj parimin e prezumimit të pafajësisë dhe deri në momentin e gjykimit  të tyre më mbetet të shoh se cila është e vërteta e kësaj historie dhe më pas të jap gjykimin tim të plotë”, tha Xhafaj për të kaluar më tej tek thelbi i debatit që lidhet direkt me Erion Veliajn dhe aksionin e opozitës kundër këtij të fundit.

“Si deputet i kësaj mazhorance pres të shoh vazhdimin e reflektimeve të nevojshme që kanë nisur, për çfarë nuk ka funksionuar në këtë rast dhe masat që duhen marrë për të parandaluar dhe ndëshkuar dukuri të tilla. Të pranosh këtë gjë nuk është dobësi, është përgjegjësi. Të shkosh të dëshmosh para prokurorëve nuk është herezi, por detyrim para ligjit. Të bashkëpunosh me drejtësinë për të vërteten është përgjegjësi qytetare dhe ligjore. Të mbështetesh SPAK është respekt ndaj pushtetit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Ju po shkoni përtej kësaj logjike. Po konkurroni prokurorët dhe gjykatën që ende nuk ka filluar ta gjykojë këtë cështje, pasi është ende nën hetim.

Po i bëni gjyq popullor bashkisë, këshillit bashkiak dhe kryetarit të bashkisë. Si një njeri që vjen nga aksionet politike do ta mirëkuptoja, por aksioni duhet të ecë paralele me logjikën dhe jo molotovin. Ju po kërkoni që përgjegjësinë e 3-4 drejtorëve, ta ngrini në një akuzë ndaj gjithë institucionit që ka mbi 200 e ca drejtorë.  Ata mund të shpallen fajtore, por 4 apo 10 drejtorë nuk janë bashkia e Tiranës”, tha Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë