Lajme

Xhaçka në Gjermani: Reforma në drejtësi ka frikësuar ca politikanë

Gjatë vizitës në Berlin, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është pritur në një takim të veçantë nga homologia gjermane, Ursula von der Leyen, me të cilën ka biseduar rreth intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe perspektivës europiane të vendit tonë.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë më të forta se kurrë, ashtu siç është edhe perspektiva evropiane e vendit tonë. Me homologen Ursula von der Leyen ndamë qëndrimin se integrimi i Shqipërisë dhe gjithë rajonit në strukturat euro-atlantike është domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm dhe për sigurinë e stabilitetin”, shprehet Xhaçka.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhaçka bën me dije se pjesë e bisedës ka qenë edhe kaosi politik që ka kapluar vendin. Xhaçka e njohu homologen gjermane mbi përpjekjet e vazhdueshme që po bën vendi ynë për modernizimin dhe me reformat e vështira, siç është reforma për drejtësi. Ajo thotë se situata politike është ndezur nga aktorë antireformistë që i tremben reformës në drejtësi.
“Pa dyshim, situata politike në vendin tonë është shkaktuar nga aktorë antireformistë, të cilët kanë arsye për të qenë të frikësuar nga një sistem drejtësie i pavarur”, shkruan më tej ministrja e Mbrojtjes.
Ministrja shprehet e bindur se me mbështetjen e Gjermanisë, Shqipëria do të ecë përpara në procesin e integrimit.
“E bindur që me ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe aleatëve tanë, do të arrijmë të ecim përpara në procesin e integrimit, për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane”, thotë ndër të tjera Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë