Futboll

Xakanji çon Lacion në gjysmëfinale, derbi mbyllet me tension. Hysaj e Kumbulla spektatorë

Gazeta Si – Në ‘Olimpico’ kanë fituar të besuarit e Sarrit, falë një penalltie të kthyer në gol nga sulmuesi anësor. Lacio kalon në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Juventus-Frozinone. Tension në fund dhe tre kartonë të kuq.

Lacio është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Kupës së Italisë 2023/24, pasi ka mundur 1-0 Romën. Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe me pak raste, me mbrojtjet protagoniste, në të dytën Xakanji shënoi golin e vetëm të derbit, pas një penalltie të fituar nga Kastelanos.

Pastaj Lacio u mbrojt mirë deri në fund. Në shtesë pati shumë tension mes lojtarëve, duke sjellë edhe ndëshkimin me karton të kuq të Pedros te Lacio dhe Azmun dhe Mançinit te Roma. Lacio feston kalimin në gjysmëfinale, kurse Roma eliminohet nga ky kompeticion.

Dy lojtarët e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj te Lacio dhe Marash Kumbulla te Roma, qëndruan gjithë kohën në stol. Për Kumbullën ishte ndeshja e parë që grumbullohej pas një kohe të gjatë mungesë për shkak të dëmtimit në gju.

Duhet theksuar se pati tension edhe mes tifozëve, brenda dhe jashtë stadiumit 'Olimpiko'. Përplasjet mes ultrasve filluan para ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë